Bota
DW/ Si ta bësh Serbinë ta njohë Kosovën?
Në Prishtinë dhe Beograd Lajçak u përpoq të rinisë dialogun. Analistët nga Beogradi për DW: Qëllimi i dialogut është të gjendet një model, në bazë të të cilit Serbia ta njihte në mënyre implicite ose eksplicite Kosovën.
I dërguari i posaçëm i BE për dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak, theksoi në vizitën e tij në Beograd se dialogu Beograd-Prishtinë është thelbësor për të dyja palët dhe se status-quoja nuk është diçka që Evropa e mbështet. Ai vuri në dukje edhe se qeveritë nuk kanë luksin të zgjedhin prioritetet dhe se Evropa pret vazhdimin e dialogut.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u shpreh se “nuk e kupton se ku është kompromisi në njohjen e ndërsjelltë të Beogradit dhe Prishtinës” dhe se “kompromisi nuk mund të jetë një deklaratë, si Gjuro do të të kërkojë ty falje, se të ka rrahur.” Ai beson se pala shqiptare nuk është e gatshme për një marrëveshje, por është i kënaqur që ajo është e gatshme për dialog.
Me këtë rast Presidenti i Serbisë promovoi edhe një frazë të re për zgjidhjen e problemit të Kosovës “asnjërit të gjithën, por për secilin mjaftueshëm”, që është një variant tjetër në temën “më shumë se autonomi, dhe më pak se pavarësi”. Prandaj edhe analistët në vijim mendojnë se presidenti i Serbisë është i gatshëm ta njohë Kosovën në një farë forme, nëse Serbia në këmbim do të marrë diçka. Duke qenë se bëhet fjalë për një proces, që nuk është transparent dhe që e mban opinionin serb në errësirë, është e vështirë të përcaktohet, se çfarë është kjo “diçka”, që Aleksandar Vuçiç do të paraqesë si fundin e një rruge, në të cilën Serbia nuk mori “gjithçka”, por mori “mjaft”.
Presioni lëviz dialogun
Në një situatë, kur Albin Kurti merret kryesisht me referendumin për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, krijohet përshtypja se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës nuk është për askënd prioritet. Pala shqiptare nuk tregon shumë entusiazëm për vazhdimin e dialogut, edhe Beogradi deri diku është indiferent, nëse do të vazhdojë dialogu. Prandaj Dejan Bursaç nga Instituti për Studime Politike thotë për DW se „nuk sheh që Brukseli do të jetë në gjendje të ringjallë dialogun, nëse nuk ushtrohet presion pak më i madh, e këtë presion Brukseli nuk mund ta ushtrojë pa SHBA”.
„Këtu është edhe pyetja, se si do të paraqitet Albin Kurti, i cili opinionit të brendshëm publik i paraqitet si dikush, që i kundërvihet Perëndimit, por nga ana tjetër është dikush, që për gjitçka konsultohet me SHBA-në dhe Gjermaninë”, vlerëson Bursaç.
Kur është fjala për presionin mbi Serbinë, vazhdon Bursaç, ai në një farë mënyre është tashmë i dukshëm edhe nga raporti i Parlamentit Evropian. „Ky raport ndryshon nga ato që kemi pasur rast të shohim vitet e fundit. Këto sinjale mund t‘i shohim si një formë të vogël presioni dhe dirigjimi të Beogradit drejt dijalogut me Prishtinën”, thotë Bursaç.
Parullat boshe të Vuçiçit
Retorikën e Aleksandër Vuçiçit pas takimit me Lajçakun drejtori i Institutit për Çështjet Evropiane, Naim Leo Beshiri, e sheh si një transformim interesat. „Interesant është, se si nga koncepti ‘më shumë se autonomi, më pak se pavarësi’ kemi ardhur te momenti, kur me të vërtetë flasim për modalitetet e njohjes së Kosovës. Në këtë moment qëllimi i këtij dialogu për Serbinë është vetëm se si të gjendet ndonjë model, sipas të cilit Serbia do të njohë në mënyrë implicite apo eksplicite Kosovën. Dhe mendoj se Vuçiç prej disa vitesh përpiqet të përgatisë për këtë terrenin përmes institucioneve të ndryshme, që deri tani i janë kundërvënë kësaj, si kisha, ushtria, apo Akademia serbe e Shkencave dhe Arteve (SANU)”, vëren Beshiri.
Pazari i njohjes së Kosovës
Komentin e Aleksandar Vuçiçit, që ai nuk sheh se njohja reciproke mund të jetë ndonjë kompromis, Naim Leo Beshiri e konsideron si diçka që mund të çojë në një konkluzion të gabuar: „Koncepti i njohjes reciproke sjell një lloj konfuzioni, sepse Serbia nuk ka domosdoshmërisht nevojë për njohjen e Kosovës. Kosova nga ana tjetër ka më shumë nevojë për njohjen nga Serbia. Pra kur flasim për presionet mbi Serbinë, ne flasim se si të gjendet mënyra më pak e dhimbshme që Serbia të njohë Kosovën. Vuçiç tani përqipet të marrë ndonjë avantazh ekonomik nga kjo, por duhet theksuar se edhe pa problemin e Kosovës Serbia ka shumë probleme të tjera, për shkak të të cilave nuk mund të llogarisë me sigurinë e anëtarësimit në BE”, thekson Beshiri.
Serbia në të vërtetë po përpiqet të tregtojë njohjen e Kosovës me anëtarësimin e garantuar në Bashkimin Evropian, shpjegon Beshiri dhe thekson se „Partia Progresive Serbe dhe presidenti i saj mendojnë se kjo mund t‘i lërë në pushtet për të paktën dhjetë vjet të tjera. Mendoj se kjo është një llogaritje krejtësisht e gabuar”.
Kërkohet formulimi
Jam i sigurtë se Vuçiç është i vetëdijshëm, që i gjithë ky proces po shkon drejt një lloj njohjeje të Kosovës, vëren edhe Dejan Bursaç, i cili thotë se „është e qartë se tani kërkohet formulimi, që në një farë mënyre do të paketohet dhe t‘i prezantohet opinionit serb, i cili është shumë i ndjeshëm në këtë çështje. Tani po kërkohet tekstualilsht, se si kjo marrëveshje e mundshme të paraqitet e tillë, sikur Serbia nuk është dorëzuar në gjithçka”.
„Që nga marrëveshja e Brukselit Serbia ka nëshkruar, të themi, gati 50 dokumente të ndryshme me Kosovën, të cilat kanë forcuar më tej sovranitetin e Kosovës dhe nga ana tjerër ajo nuk ka përfituar as Bashkësinë e komunave serbe. Pala serbe bën lëshime masive në këto bisedime, por në publik i prezanton si proces, në të cilin askush as nuk ka humbur dhe as nuk ka fituar ndonjë gjë të veçantë”, përfundon Dejan Bursaç.
Bota
Presidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në Florida, ku po zhvillon një takim të rëndësishëm me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në rezidencën e tij private, Mar-a-Lago.
Takimi synon të diskutojë sigurinë, ndihmën ekonomike dhe çështje territoriale lidhur me konfliktin në Ukrainë, ndërkohë që Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Kievit.
Zelensky ka bërë të ditur se bisedimet do të përfshijnë garanci sigurie dhe mbështetje financiare, si dhe mundësinë e diskutimit për të ardhmen e zonës së Donbasit. Takimi pritet të jetë një hap i rëndësishëm drejt arritjes së një marrëveshjeje paqeje pas katër vjetësh konflikti.
Ndërkohë, Trump e ka përshkruar telefonatën e tij me Vladimir Putin pak para takimit si “të mirë dhe shumë produktive”, duke theksuar rëndësinë e dialogut në këtë moment delikat.
Bota
Legjenda e ekranit francez, Brigitte Bardot ndërron jetë në moshën 91-vjeçare
Brigitte Bardot, aktorja dhe këngëtarja franceze që u bë një seks-simbol ndërkombëtar përpara se t’i kthente shpinën industrisë së filmit për t’u bërë aktiviste për të drejtat e kafshëve, ka ndërruar jetë në moshën 91 vjeç.
Bardot fitoi famë ndërkombëtare me filmin e vitit 1956 “Dhe Zoti Krijoi Gruan”, shkruar dhe drejtuar nga bashkëshorti i saj i atëhershëm, Roger Vadim, dhe për dy dekadat e ardhshme mishëroi idenë e “koteles së seksit” arketipe. Megjithatë, në fillim të viteve ’70, ajo njoftoi tërheqjen e saj nga aktrimi dhe u bë gjithnjë e më aktive politikisht. Mbështetja e saj e hapur për të drejtat e kafshëve, evoluoi në komente nxitëse rreth pakicave etnike dhe mbështetje të hapur për Frontin Nacional të ekstremit të djathtë të Francës, duke rezultuar në një sërë dënimesh për urrejtje racore.
E lindur në vitin 1934 në Paris, Bardot u rrit në një familje të begatë dhe tradicionale katolike, por shkëlqeu mjaftueshëm si balerinë saqë iu lejua të studionte balet, duke fituar një vend në Konservatorin prestigjioz të Parisit. Në të njëjtën kohë ajo gjeti punë si modele, duke u shfaqur në kopertinën e Elle në vitin 1950, ndërsa ishte ende 15 vjeç. Si rezultat i punës së saj si modele, asaj iu ofruan role filmash; në një audicion ajo takoi Vadim-in, me të cilin do të martohej në vitin 1952, pasi mbushi 18 vjeç. Bardot u zgjodh në role të vogla, me një rëndësi gjithnjë e më të madhe; ajo luajti interesin e dashurisë së Dirk Bogarde në Doctor at Sea, një hit i madh në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1955.
Por ishte filmi i Vadim dhe Zoti e krijoi gruan, në të cilin Bardot luajti rolin e një adoleshenteje të lirë në Saint-Tropez, që e konsolidoi imazhin e saj dhe e shndërroi atë në një ikonë ndërkombëtare. Filmi ishte një hit i madh në Francë, si dhe në nivel ndërkombëtar, dhe e katapultoi Bardot në radhët e para të interpretueseve franceze të ekranit.
Përveç audiencës së kinemasë, Bardot u bë shpejt një frymëzim për intelektualët dhe artistët; jo më pak për të rinjtë John Lennon dhe Paul McCartney, të cilët kërkonin që të dashurat e tyre të asaj kohe t’i lyenin flokët biondë në imitim të saj. Kolumnisti Raymond Cartier shkroi një artikull të gjatë rreth “le cas Bardot” në Paris-Match në vitin 1958, ndërsa Simone de Beauvoir botoi esenë e saj të famshme Brigitte Bardot dhe Sindroma e Lolitës në vitin 1959, duke e paraqitur aktoren si gruan më të çliruar të Francës. Në vitin 1969, Bardot u zgjodh si modelja e parë e jetës reale për Marianne, simbolin e republikës franceze.
Në filli të viteve 1960, Bardot u shfaq në një sërë filmash francezë të profilit të lartë, duke përfshirë dramën e Henri-Georges Clouzot, e nominuar për çmimin Oscar, “The Truth”, “Very Private Affair” të Louis Malle (përballë Marcello Mastroianni-t) dhe “Contempt” të Jean-Luc Godard. Në gjysmën e dytë të dekadës, Bardot pranoi një numër ofertash nga Hollywood-i: këto përfshinin “Viva Maria!”, një komedi të periudhës me xhirim në Meksikë me Jeanne Moreau, dhe “Shalako”, një film western me Sean Connery.
Bardot pati gjithashtu një karrierë paralele muzikore, e cila përfshinte regjistrimin e versionit origjinal të këngës “Je T’Aime… Moi Non Plus” të Serge Gainsbourg, të cilën Gainsbourg e kishte shkruar për të ndërsa kishin një lidhje jashtëmartesore. (E frikësuar nga skandali pasi bashkëshorti i saj i atëhershëm, Gunter Sachs, e zbuloi, Bardot i kërkoi Gainsbourg të mos e publikonte; ai vazhdoi ta riregjistronte atë me Jane Birkin, duke arritur një sukses të madh komercial.)
Megjithatë, Bardot e gjeti presionin e famës gjithnjë e më bezdisës, duke i thënë gazetës Guardian në vitin 1996 : “Çmenduria që më rrethonte gjithmonë dukej joreale. Nuk isha kurrë vërtet e përgatitur për jetën e një ylli.” Ajo u tërhoq nga aktrimi në vitin 1973, në moshën 39 vjeç, pasi realizoi romancën historike “Historia Ndërtuese dhe e Gëzuar e Colinot”. Fokusi i saj kryesor u bë aktivizmi për mbrojtjen e kafshëve, duke iu bashkuar protestave kundër gjuetisë së fokave në vitin 1977 dhe duke themeluar Fondacionin Brigitte Bardot në vitin 1986.
Më pas, Bardot u dërgoi letra proteste udhëheqësve botërorë për çështje të tilla si shfarosja e qenve në Rumani, vrasja e delfinëve në Ishujt Faroe dhe masakra e maceve në Australi . Ajo gjithashtu shprehu rregullisht pikëpamjet e saj mbi masakrën fetare të kafshëve. Në vitin 2003, në librin e saj “Një britmë në heshtje “, ajo përkrahu politikën e krahut të djathtë dhe sulmoi burrat gej dhe lezbiket, mësuesit e shkollave dhe të ashtuquajturin “islamizim të shoqërisë franceze”, duke rezultuar në një dënim për nxitje të urrejtjes racore.
Bardot kishte një histori të gjatë në mbështetjen e Frontit Nacional të Francës (i cili që atëherë është riemëruar Tubimi Kombëtar), duke i thënë gazetës Guardian: “Lidhur me rritjen e tmerrshme të emigracionit, unë i ndaj plotësisht pikëpamjet e [Jean-Marie Le Pen].” Në vitin 2006, një letër drejtuar ministrit të brendshëm të atëhershëm, Nicolas Sarkozy, thoshte se popullsia myslimane e Francës po “shkatërronte vendin tonë duke imponuar veprimet e saj”.
Bardot u martua katër herë: me Vadim midis viteve 1952 dhe 1957, me Jacques Charrier midis viteve 1959 dhe 1962 (me të cilin pati një djalë, Nicholas, në vitin 1960), me Sachs (1966-1969) dhe me ish-këshilltari e Le Pen, Bernard d’Ormale, me të cilin u martua në vitin 1992. Ajo gjithashtu pati një numër marrëdhëniesh të profilit të lartë, duke përfshirë ato me Jean-Louis Trintignant dhe Gainsbourg./ The Guardian.
Bota
Kush është “zbatuesi hije” i Shtëpisë së Bardhë, me ndikim të jashtëzakonshëm te Trump
Presidenti Trump ishte i lodhur. Gjatë një takimi me ligjvënësit e grupit republikan në Shtëpinë e Bardhë gjatë verës, Trump qortoi ashpër kreun e House Freedom Caucus, Andy Harris, sepse kishte ngritur shqetësime rreth legjislacionit kryesor të presidentit për taksat dhe shpenzimet. Trump kërkoi që Harris të rreshtohej…pastaj presidenti u largua papritur nga dhoma, sipas njerëzve që morën pjesë në takim.
Pasi Trump u largua, Harris e drejtoi zemërimin e tij te James Blair, një nga këshilltarët kryesorë të presidentit. Harris e akuzoi Blair-in se donte të gjente një sfidues republikan në zgjedhjet primare për ta rrëzuar atë.
“Unë thjesht punoj për presidentin, zotëri,” u përgjigj Blair, sipas njerëzve në dhomë. Ky nuk ishte një mohim.
Blair, një operativ 36-vjeçar qeros nga Florida, të cilin kolegët e përshkruajnë si intensiv dhe të zjarrtë, është bërë një figurë tejet e rëndësishme në mandatin e dytë të Trump-it, duke bindur ligjvënësit, duke zbatuar besnikërinë ndaj Trump-it, duke formësuar mesazhet e presidentit për shëndetësinë dhe ekonominë, si dhe duke orkestruar strategjinë e Shtëpisë së Bardhë për zgjedhjet e mesmandatit të vitit të ardhshëm.
Gjurmët e tij janë aq të dukshme në planin e rishpërndarjes së zonave të Republikanwve, saqë disa ndihmës të Shtëpisë së Bardhë i referohen atij si “Blairymandering.”
Titulli i Blair-it – zëvendësshef i stafit – nuk e pasqyron plotësisht ndikimin e tij. Ai ishte në mesin e shtatë zyrtarëve të lartë, përfshirë zëvendëspresidentin dhe Sekretarin e Shtetit, që përfaqësuan administratën ë një set fotografik të fundit për Vanity Fair. Ai e përshkroi veten si një “rojtar”.
“Presidenti mbështetet tek ai jashtëzakonisht shumë,” tha Russell Vought, drejtor i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, në një intervistë.
Deri më tani, Blair i ka mbajtur republikanët kryesisht të bashkuar rreth Trump-it. Ai ndihmoi në sigurimin e kalimit të paketës së taksave dhe shpenzimeve të Trump-it, duke kufizuar largimet nga radhët e republikanëve të Kongresit dhe duke fituar mbështetjen e Harris dhe konservatorëve të tjerë.
Në një deklaratë, Harris tha se “mosmarrëveshjet nuk janë të pazakonta gjatë negociatave të nivelit të lartë” dhe e quajti punën e Blair-it “të lavdërueshme”. Një zëdhënëse e Harris hodhi poshtë pretendimin se kongresmeni ngriti mundësinë e një sfide në primare gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Por përpara ka sfida të mëdha. Blair po përpiqet të shmangë humbje republikane në mesmandat. Blair po punon për të parandaluar thellimin e çarjeve në Partinë Republikane. Dhe ai do të duhet të bindë republikanët skeptikë dhe gjykatat që të pranojnë përpjekjet e tij për të riformuar hartat e Kongresit.
Jo më një “i ngurtë”
Blair u soll në fushatën presidenciale të Trump-it të vitit 2024 nga atëherë shefja e fushatës Susie Wiles, e cila tani shërben si shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë. Wiles dhe Blair më parë punuan për guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, dhe më vonë u ftohën me të pasi u larguan në fillim të vitit të parë të guvernatorit në detyrë.
Një nga punët e para të Blair-it për Trump-in gjatë primareve të vitit 2024 ishte sulmi ndaj DeSantis, shpesh duke përdorur informacione rreth guvernatorit që i kishte mbledhur duke punuar për të.
Pas atentatit ndaj Trump-it në korrik 2024, Blair ndonjëherë sillte një jelek antiplumb dhe një armë në punë, kujtojnë ish-ndihmësit e fushatës.
Blair fillimisht nuk kishte një marrëdhënie të ngushtë me Trump-in, i cili u thoshte ndihmësve në atë kohë se ai ishte “i ngurtë”. Por Trump e njohu Blair-in pas zgjedhjeve dhe tani flet me të rregullisht, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Blair është kërkues, i prirur për të kritikuar dhe vazhdimisht në telefonin e tij, sipas njerëzve që e njohin. Disa në Uashington e quajnë atë “Orakulli” për shkak të njohurive të tij enciklopedike mbi të dhënat. Fjalitë e tij shpesh fillojnë me: “Presidenti dëshiron…”
“Ka një arsye pse Presidenti Trump e thërret zëvendësshefin e tij të stafit ‘James i Shkëlqyer’,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt.
Blair ndonjëherë ka përqafuar rolin e “policit të keq”, duke u dërguar lajme të vështira për t’u gëlltitur ligjvënësve. Ai u tha republikanëve që kishin shqetësime rreth paketës së taksave dhe shpenzimeve se një votë kundër legjislacionit do ishte një votë kundër presidentit dhe axhendës së tij dhe do trajtohej si e tillë, sipas njerëzve të njohur me bisedat. Kjo u pa nga disa ligjvënës si një kërcënim.
Ai shpesh këshillon ligjvënësit republikanë se si duhet të votojnë, si duhet të drejtojnë fushatat, kur nuk duhet të kërkojnë poste më të larta dhe kur Trump është i zemëruar. Ai u kujton ligjvënësve se Trump është më popullor në rrethet e tyre sesa janë ata vetë, duke sjellë ndonjëherë sondazhe për të përforcuar argumentin e tij. Ndërsa Trump ka bërë presion për të hequr *”filibuster”-in, Blair është takuar privatisht me senatorët javët e fundit për të paraqitur ndryshimet e mundshme.
Blair ka filluar t’u japë këshilla anëtarëve mbi përballueshmërinë e jetesës që nuk përputhen gjithmonë me mesazhet publike të Trump-it, duke thënë se kjo çështje do jetë në qendër të zgjedhjeve të mesmandatit.
“Jo shumë respekt”
Taktikat e Blair-it kanë zemëruar disa në Kapitol Hill. Anëtarët janë ankuar privatisht se si Shtëpia e Bardhë nuk duket se e kupton që Kongresi është një degë e barabartë e qeverisë. Disa republikanë kanë njoftuar tërheqjen në vend që të përballen me rizgjedhjen, dhe të tjerë po e konsiderojnë tërheqjen, thanë republikanët e lartë të Hill-it.
Deputetja Marjorie Taylor Greene, që po tërhiqet, shprehu zemërim te zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë në fillim të këtij viti se Blair dhe ekipi i marrëdhënieve legjislative ishin përçmues ndaj saj. Zyra e saj nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
“Nuk ka shumë respekt ndaj Kongresit”, tha Erick Erickson, një aktivist konservator.
Në një deklaratë të shkruar, Blair citoi nga fjalimi i përgatitur që Presidenti John F. Kennedy do mbante në Dallas ditën kur u vra: “Gjithmonë do ketë zëra disidentë në vend, duke shprehur kundërshtim pa alternativa, duke gjetur gabime por asnjëherë favor, duke parë errësirë në çdo anë dhe duke kërkuar ndikim pa përgjegjësi.”
Blair ka bërë presion mbi anëtarët në rrethe konkurruese që të kandidojnë për rizgjedhje pasi mori vesh se po planifikonin të tërhiqeshin ose të kërkonin një zyrë tjetër. Ndonjëherë, bisedat janë nxehur. Ai e shkurajoi ligjvënësin Mike Lawler nga kandidimi për guvernator në Nju Jork, dhe këshilloi deputetin Bill Huizenga kundër kandidimit për Senat në Miçigan, duke zemëruar këtë të fundit.
“A është ai i drejtpërdrejtë? Sigurisht. Kjo është një gjë e mirë për sa më përket mua. Një nga problemet në Uashington është se shumë njerëz janë të butë,” tha Lawler. Blair u shpreh “shumë mirënjohës” që anëtarët dëgjuan.
Muajt e fundit, Blair e ka kthyer fokusin te zgjedhjet e mesmandatit. Ai dha një prezantim në PowerPoint mbi garat dhe strategjitë e veçanta për ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë në Camp David. Dhe ai ka intervistuar kandidatë për dhjetëra gara potenciale, duke pyetur për besnikërinë e tyre ndaj Trump-it, nëse mbështesin axhendën e presidentit dhe si planifikojnë të fitojnë.
Blair e ka përshkruar veten te bashkëpunëtorët si “shumë djathtas”, por ai ndonjëherë i paraqet presidentit dhe ekipit të tij të dhëna që tregojnë dobësitë e mundshme politike të politikave të administratës. Ai ka informuar zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë mbi sondazhet që tregojnë se bastisjet e emigracionit që përqendrohen në dëbimin e kriminelëve do ishin më popullore sesa bastisjet me shtrirje të gjerë. Ai i dha Trump-it grafiqe së fundmi që tregonin se sa pesimistë ishin shumë amerikanë për ekonominë.
Në prill, Blair i prezantoi presidentit një plan agresiv për të rishikuar hartat e Kongresit në përpjekje për të mbajtur kontrollin republikan të Dhomës. Plani ishte guximshëm, por Trump-it i pëlqeu dhe i tha Blair-it të sulmonte.
Për javë të tëra, Blair u bëri presion ligjvënësve të Indianas, përfshirë kreun e Senatit shtetëror Rodric Bray, për të mbështetur një plan rishpërndarjeje të zonave të mbështetur nga Trump. Në një telefonatë natën para votimit, Blair e akuzoi Bray-n se po luante lojëra dhe po punonte kundër republikanëve. Bray i tha se rishikimi i hartave nuk ishte i duhur. Aleatët e Trump tani po paralajmërojnë të mos mbështesin krerët republikanë të shtetit në primare.
Wall Street Journal
-
Albania3 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania1 day agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania3 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
Albania4 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK1 day agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
UK2 hours ago
Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Bota3 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
-
Kosova5 hours agoDalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind
