Kryebashkiaku i Beneventos, Clemente Mastella, ka kërkuar hetim të një raportimi që po qarkullon se dy klube të Series A po i fshehin rastet me COVID-19 në mënyrë që stinori të ndërpritet sërish.
Kjo informatë së pari doli në gazetën “Corriere dello Sport”, ku redaktori Ivan Zazarroni në një editorial shkroi për “spekulime se dy skuadra të Series A po i fshehin rezultatet pozitive, dhe po presin momentin e duhur për të kumtuar ato dhe ndaluar çdo gjë”.
“Shumë pak kanë besuar në këto spekulime, por në një shtet të dyshimeve, gjithmonë do të jetën dikush që do ta bëjë një pëshpëritjen uragan”, kishte shkruar Zazzaroni.
Kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur, pasi kryebashkiaku i Beneventos, Mastella, ka kërkuar hetim të menjëhershëm të këtij editoriali.
“Ka shumë dredhi dhe shumë interesa për t’u mbrojtur. Jam i zhgënjyer që ka disa që janë të gatshëm të merren me këtë situatë të pahijshme. I kërkoj këshillit të Federatës së Futbollit të Italisë që të merret kjo parasysh”, ka thënë Mastella.
Benevento shqetësohet se mund të mbetet pa u ngjitur në Serie A nëse stinori anulohet, ndonëse është duke kryesuar në Serie B me 20 pikë epërsi.
Të premten, 16 nga 20 klubet e Series A kanë votuar për të mos shpallur kampionin e Italisë, e po ashtu të mos ketë as ngjitje e rënie nga elita, nëse stinori pezullohet sërish shkaku i COVID-19. Milani ishte klubi i vetëm që votoi kundër, ndërsa Roma, Lazio e Napoli abstenuan.
Federata e Futbollit të Italisë pritet që sot ta bllokoj këtë ide dhe të fokusohet në plejofe apo mënyra tjera për të vendosur për tabelën përfundimtare, në rast se nuk vazhdohet stinori. Stinori në Serie A është pezulluar në mars shkaku i pandemisë COVID-19, ndërsa pritet të rifillojë më 20 qershor.