Shirat e rrëmbyeshëm po pengojnë përpjekjet e ndihmës në provincën Shanxi, në Kinën Veriore, ku sipas medias lokale ka mbi 1,76 milionë njerëz të detyruar të evakuohen, ndërsa dhjetëra miniera qymyri janë mbyllur duke krijuar presion mbi krizën e energjetike që po godet vendin, me racionimin e saj, veçanërisht në verilindje të vendit.
Moti i keq që nga java e kaluar ka shkaktuar shembjen e shtëpive dhe ka shkaktuar rrëshqitje toke dhe përmbytje në më shumë se 70 distrikte dhe qytete në Shanxi duke përsëritur skenarët dramatikë të regjistruar tre muaj më parë në provincën Henan, që u kushtuan jetën mbi 300 personave.
Autoritetet në Shanxi janë detyruar të evakuojnë më shumë se 120 000 persona, ndërsa 17 000 shtëpi janë shembur. Katër policë gjithashtu vdiqën si pasojë e rrëshqitjes së tokës.
Shanxi është një krahinë e rëndësishme e minierave dhe prodhimit të qymyrit, por aktivitetet janë pezulluar për shkak të shirave në një kohë kritike.
Kina tashmë po përballet me një mungesë energjie që ka bërë që furnizimi me energji elektrike i porteve, fabrikave dhe madje edhe shtëpive të jetë i bllokuar.