Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka janë dy nga futbollistët shqiptarë më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Kanë luajtur e luajnë në nivel të lartë në klube, por simpatinë dhe dashurinë e shqiptarëve do ta kenë shumë gjatë për paraqitjet me përfaqësuesen. Madje jo me përfaqësuese të Kosovës apo Shqipërisë, por me përfaqësuesen e Zvicrës.
Ishte 22 qershori i vitit 2018, kur Shaqiri e Xhaka bënë krenarë gjithë shqiptarët. Në Kaliningrad të Rusisë po zhvillohej ndeshja e Kupës së Botës mes Serbisë dhe Zvicrës. Serbia kishte kaluar në epërsi 1:0 në minutën e pestë dhe ky rezultat kishte mërzitur gjithë shqiptarët. Në pjesën e dytë në skenë dolën Xhaka e Shaqiri.
Xhaka realizoi supergol për 1:1 në minutën e 52-të e më pas Shaqiri shënoi gol “perlë”, pas një kundërsulmi, në minutën e 90-të. Pasoi festa e paparë me shqiponjë, që bëri bujë të jashtëzakonshme. Fitorja 2:1 e Zvicrës është festuar në të gjitha qytetet e Kosovës dhe thuajse në çdo vend ku ka shqiptarë.
Ndeshja u pasua me zhvillime të shumta, gjobitje të Shaqirit e Xhakës nga FIFA, ndër të tjera. Por ishte një festë që përfundimisht ia vlejti. Imazhet e asaj feste vazhdojnë të jenë shumë aktuale. Dhe do të përshkruajnë karrierën e dy shqiptarëve gjatë tërë jetës.
Zvicra e Serbia ishin në grup edhe në Botërorin “Katari 2022”. Ishte premtuar se do të ketë qetësi në ndeshje, por kjo natyrisht nuk ndodhi. Sërish kishte festë të Zvicrës e rrjedhimisht edhe festë të shqiptarëve.
Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Zvicra fitoi 3:2 në Doha të Katarit. Shaqiri shënoi golin e parë dhe përballoi me shumë qetësi provokimet e huliganëve serbë në tribuna.
Më pas Xhaka pati disa konflikte në fushë me lojtarët e Serbisë. Në fund mori fanellën e Ardon Jasharit, e vendosi mbiemrin “Jashari” në gjoks dhe festoi me pasion. Mbiemri i madh “Jashari” kishte kuptim shumë emocional për të gjithë shqiptarët.
Për shqiptarët ishte momenti kryesor i Botërorit. Fotografia e përbashkët e Xhakës, Shaqirit dhe Jasharit, po ashtu, do të mbetet në kujtesë.
Shaqiri e Xhaka mund të kenë luajtur ndeshje më të mira. Mund të kenë arritur suksese më të mëdha. Por simpatinë dhe dashurinë më të madhe të shqiptarëve do ta kenë për këto dy ndeshje.