Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të mërkurën se Policia e Kosovës gëzon “mbështetje dhe fokus të veçantë”, pasi dy njësi speciale policore protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës më herët gjatë ditës, duke kërkuar rritje të shtesave për rrezikshmërinë në punë.
Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive gjatë protestës në Prishtinë shpalosën disa kërkesa, si kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.
Në një reagim pas protestës në rrjetin social Facebook, Sveçla tha se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot “janë mbi 2.200 euro”, pa dhënë ndonjë hollësi shtesë.