Mjeku i njohur, Erion Dasho nëpërmjet një postimi i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të pezullojnë përdorimin e vaksinës kineze në vendin tonë.
Sipas Dashos dy persona në Shqipëri kanë humbur jetën pasi kanë marrë dozën e parë të vaksinës.
Ai gjithashtu thekson se procesi i vaksinimit është shumë i rëndësishëm dhe kjo thirrje e tij nuk ka qëllim të shkaktojë panik.
Postimi i plotë:
REKOMANDIM DREJTUAR MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE ÇËSHTJEVE SOCIALE!
Për shkak të të paktën dy vdekjeve të papritura midis personave që kanë kryer vaksinën CoronaVac (një prej të cilave rast i investiguar personalisht që humbi jetën një ditë pas vaksinimit), i rekomandoj Ministrisë së Shëndetësisë, Komitetit të COVID dhe Komitetit të Imunizimit të pezullojnë përkohësisht fushatën e imunizimit me CoronaVac deri sa këto vdekje të investigohen dhe të provohen si të palidhura me vaksinën në fjalë.
Kjo thirrje nuk ka aspak qëllim të ngjallë panik dhe të dëmtojë një proces të dobishëm siç është imunizimi ndaj COVID. Thjesht është në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare të farmakovigjilencës.
Dy humbje jete midis rreth 50 mijë të vaksinuarve është një tregues që kërkon kujdes të jashtëzakonshëm!
Mbetem i hapur për të komunikuar me përfaqësues të ministrisë dhe komitetit lidhur me rastin që kam investiguar personalisht.