Observatori i Futbollit, CIES, ka publikuar përditësimin më të fundit për lojtarët më të mirë në botë nën moshën 20 vjeç. Dhe, Lamine Yamal është i pari, teksa lista përmban edhe dy emra shqiptarësh.
Rezultati është mesatarja e dy vlerave: një indeks performance dhe një indeks përvoje që merr parasysh minutat e luajtura, të ponderuara nga niveli sportiv i ndeshjeve.
Lojtari i talentuar i Barcelona-s, Lamine Yamal, kryeson renditjen. Ai e tejkalon bashkëkombësin dhe shokun e tij të ekipit, Pau Cubarsi, ndërsa lojtari ndërkombëtar francez i PSG-së, Warren Zaire-Emery plotëson podiumin.
Lista, megjithatë, përmban edhe dy lojtarë me origjinë shqiptare, pavarësisht se asnjëri prej tyre nuk luan për Shqipërinë ose Kosovën.
I pari është Bleon Kurtulus. Qendërmbrojtësi 18-vjeçar me origjinë nga Kosova, por që luan për ekipet e moshave të Suedisë.
Bleoni është vëllai i Edvin Kurtulusit, i cili në vitin 2022 la Kosovën U-21 për Suedinë.
Olti Hyseni është gjithashtu pjesë e kësaj liste. Gjithashtu me origjinë nga Kosova. 18-vjeçari luan si anësor i majtë dhe aktivizohet me Danimarkën U-19. Ai ka luajtur edhe me nivelet më të ulta të moshave daneze.
As Kurtulus dhe as Hyseni nuk bëjnë pjesë në 50 më të mirët e botës, por përfshirja e tyre në listën e CIES-it është tregues i potencialit të lartë që ata kanë.