Përparim Avdili dhe Reis Luzhnica janë dy shqiptarët të cilët po synojnë që të marrin sërish ulëse në Asamblenë e Cyrihut.
Ndonëse nga parti të ndryshme, Avdili e Luzhnica, kanë vendosur që fushatën ta bëjnë se bashku.
Ndonëse target e kanë të gjithë komunitetin e vendeve që i përfsqësojnë në këtë qytet, sikurse Avdili edhe Luzhnica kërkojnë votën e shqiptarëve atje.
Në një intervistë të përbashkët virtuale për “60 Minuta” të KTV-së, Avdili thotë se bashkë me Luzhnicën janë të fokusuar më shume te komuniteti shqiptar, të cilin përmes fushatës së tyre po mundohen ta mobilizojnë dhe ta nxisin atë që të marrë pjesë në zgjedhje, pa marrë parasysh se kë do ta votojnë
“Kërkojmë votën te ata persona që janë të bindur se partia jonë mbështetë interesat e tyre. Në rrethin ku po e kërkoj votën janë diku rreth 50 mijë banorë, ndërsa jemi të koncentruar më shumë te komuniteti shqiptar bashkë me Reisin, ku po mundohemi që komunitetin shqiptar ta mobilizojmë që të marrë pjesë në zgjedhje dhe votime e të aktivizohet për politikat e Cyrihut, normalisht duke i nxitur ata që të votojnë po mundohemi ta kërkojmë votën për ne”, ka thënë Avdili.
Të njëjtin qëndrim e ndan edhe Luzhnica, i cili thotë se statistikat tregojnë që pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhje është shumë e ulët.
“Votat ne i kërkojmë nga të gjithë qytetarët që e ndajnë mendimin e njëjtë me ne si parti dhe me mua si kandidat. Aty normalisht që synojmë edhe votat e shqiptarëve, sipas statistikave dihet se votojnë më pak në zgjedhje dhe këtu me anë të një fushate po mundohemi t’i aktivizojmë shqiptarët që të marrin pjesë në zgjedhje”, thotë ai.
Këtë e pohon edhe Avdili, i cili thotë se kjo pjesëmarrje në të kaluarën nuk ka kaluar më shumë se 13 për qind, gjë që i ka bërë të punojnë që shqiptarët të marrin pjesë në votime dhe se angazhimi i tyre, sipas Avdilit ka shënuar një hap pozitiv.
“Pjesëmarrja e tyre ka qenë prej 10 deri në 13 për qind, gjë që është pjesëmarrje shumë e ulët. Kjo na ka nxitë që t’i bindim shqiptarët që të marrin pjesë në votime, e që ata sipas bindjeve të tyre të votojnë për ndonjë parti apo iniciativë e referendum dhe po besoj se ka pasur një rezultat pozitiv sa i përket këtij angazhimi tonë”.
Sipas Luzhnicës, arsyeja pse shqiptarët nuk vendosin të marrin pjesë në votime nuk është se ata nuk dinë të votojnë, pavarësisht sistemit të komplikuar, por se nuk e kanë ndierë veten të përfaqësuar në mënyrë të denjë në të kaluarën.
“Pjesëmarrja e ulët nuk është vetëm pse nuk dinë të votojnë, por ndoshta nuk e kanë ndierë vetën të përfaqësuar në të kaluarën dhe këtë po mundohemi ta ndryshojmë, duke kontaktuar direkt me qytetarët përveç fushatës. Si parti Socialdemokrate në këto zgjedhje i kemi tri shtylla kryesore, pranimi i përballueshëm, komunikacioni, infrastruktura e sigurt dhe solidariteti në qytet, fusha këto që janë të prekur shumë shqiptarë, por jo vetëm. Shumë qytetarë po dalin nga qyteti për shkak se nuk mund t’i përballojnë kushtet”, ka shtuar Luzhnica.
Ndërkaq, Avdili ka treguar se pjesë e programit të tij është çështja e banimit dhe e komunikacionit, ndonëse me ideja të ndryshme nga programi i Luzhnicës.
“Çështja e banimit dhe komunikacionit janë edhe pjesë e programit tonë, por me ideja është e ndryshme. Gabimet e një politike të majtë socialdemokrate kanë shkaktuar probleme. Ne si parti liberale e qendrës së djathtë besojmë parimisht në një shoqëri dhe ekonomi të organizuar në një mënyrë liberale, ku të gjithëve i jepet mundësia që të vetëzhvillohet”, ka thënë ai.