Një gjykatë në Pakistan ka dënuar me vdekje dy burra për dhunim seksual në grup të një gruaje franceze në sy të fëmijëve të saj në Lahore vitin e kaluar.
Prokurori Hafiz Asghar tha se vendimi për rastin kundër të pandehurve Abid Malhi dhe hafqat Ali u lëshua brenda burgut ku po mbaheshin këta dy persona, shkruan Daily Mail.
Gjykatësi Arshad Hussain Bhuta gjithashtu i dënoi këta dy persona me 14 vjet burgim. Ata duhet ta vuajnë këtë kohë të burgimit para se të ekzekutohen.
Sipas prokurorit dhe policisë, Malhi dhe Ali e gjetën gruan duke pritur për ndihmë pasi vetura i kishte mbetur pa karburant. Ajo i kishte mbyllur dyert e veturës, por burrat e kishin thyer dritaren dhe e kishin nxjerrë gruan nga vetura.
Më pas, ata e kishin dhunuar viktimën nën tytën e armës dhe në sy të fëmijëve. Përpos kësaj, dy burrat e dënuar i vodhën të holla, stoli dhe kartela bankara para se të iknin nga vendi i ngjarjes.
Autoritetet arritën që t’i gjenin dy të dyshuarit përmes telefonave dhe i arrestuan disa ditë pas incidentit. Mostrat e ADN-së që u morën nga vendi i krimit u përputhën me ADN-në e dy personave të akuzuar për dhunim.