Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, e ka shpallur si prioritet të punës së tij përmirësimin e infrastrukturës së qytezës bregdetare të Ksamilit. Por, kjo dëshirë e shprehur prej tij publikisht, duket se e ka rrëmbyer aq shumë kryebashkiakun, sa ka vendosur të zgjidhë “qesen” e fondeve publike, duke i shpenzuar dy herë për të njëjtën rrugë.
Dhe, nuk janë pak, por dy tenderat që përplasen me njëri-tjetrin do t’u kushtojnë buxhetit të sarandiotëve plot 2 milionë euro.
Është një “lapsus” nga Bashkia e Sarandës apo një tentativë për të “mbuluar” shpenzime të fryra? Le të shohim dokumentat zyrtare.
Tenderi i parë
Në Tetor të vitit 2025, kryebashkiaku Çaçi shpall tenderin “Rikualifikim trotuari, KUB-së, ndriçim dhe shtresave rrugore në rrugët “Onhezmi” dhe “Lefter Talo”. Fondi limit për këtë procedurë ishte parashikuar në vlerën 108.466.666 lekë të reja ose rreth 1.1 milionë euro.
Referuar dokumentave të konsultur nga “Boldnews.al”, rezulton se në procedurë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë: “Hastoçi” shpk dhe “Shëndelli”. Procedura tenderuese u mbyll në 17 nëntor dhe katër ditë më pas, në 21 nëntor 2025, kryebashkiaku Oltion Çaçi shpall fitues shoqërinë “Hastoçi”, me ofertë 105.465.202 lekë të reja.
Sipas Bashkisë së Sarandës, projekti përfshin ndërhyrjen infrastrukturore në rrugët “Onhezmi” dhe “Lefter Talo”, duke kryer shtrimin me pllaka guri dhe shtresa asfaltike. Qëllimi i projektit, sipas kryebashkiakut Çaçi, “konsiston në përmirësimin e mjedisit urban, krijimin e hapësirave miqësore për funksionimin e kësaj rruge, infrastrukturë e mirëfilltë bashkëkohore me impakt të drejtëpërdrejtë për banorët e kësaj zone”.
Në tenderat publikë, por sidomos ato që lidhen me infrastrukturën, vërehet gjithnjë e më shpesh një detaj interesant: sa më shumë “fjalë të bukura” të ketë projekti, aq më e madhe është shifra e fondit limit.
Megjithatë, për një moment, nuk po ngremë asnjë dyshim mbi shifrën 1.1 milionë euro të këtij tenderi të Bashkisë së Sarandës dhe po marrin të mirëqenë se banorët që jetojnë në rrugët “Onhezmi” dhe “Lefter Talo” në Ksamil, tashmë do të shohin “ditë të bardha” nga vullneti i Oltian Çaçit.
Por, gjithmonë ka një “por”, banorët e rrugës “Lefter Talo” kanë dyfish fat me kryebashkiakun Çaçi. Ky i fundit, ka vendosur të shpenzojë edhe 800 mijë euro të tjera për rikonstruksionin e atij aksi rrugor. Këtë shpenzim ka vendosur ta kryejë me një tjetër procedurë tenderuese.
Tenderi i dytë
Në 21 nëntor 2025, pikërisht në ditën që u shpall fituesi i tenderit “Rikualifikim trotuari, KUB-së, ndriçim dhe shtresave rrugore në rrugët “Onhezmi” dhe “Lefter Talo”, kryebashkiaku i Sarandës shpall një tjetër tender për infrastrukurën e Ksamilit.
Projekti tenderues titullohet: “Ndërtim trotuare, rikualifikim i rrethimeve anësore në rrugët e brendshme dhe rikualifikim hapësirave shplodhëse Ksamil”. Për këtë tender, Bashkia e Sarandës ka vendosur të shpenzojë një fond prej 74.925.000 lekë të reja.
Natyrisht, banorët e Ksamilit, por edhe turistët e shumtë që mbërrijnë në qytezë gjatë stinës së verës, kanë nevojë për hapësira shlodhëse.
Por, çfarë vërehet në dokumentat e këtij tenderi të ri?
Në projekt është përfshirë sërish rruga “Lefter Talo”. Sipas të dhënave zyrtare, Bashkia e Sarandës vlerëson se kjo rrugë “ka nevojë për ndërtimin e trotuareve dhe rikualifikimin e rrethimeve anësore në rrugët e brendshme”.
Sipas dokumentave të miratuar nga kryebashkiaku Oltion Çaçi, “projekti fillon me zgjerime për të krijuar aksesin e kalimit të këmbësorëve, ku sipas preventivit të punimeve do të kemi punime gërmimi, punime struktura prej betoni, si dhe sistemimin e zonës…”.
Tendera abuzivë?
Në një vështrim të përgjithshëm të të dy tenderave, krijohet idea se ato synojnë njëkohësisht përmirësimin e infrastrukturës së rrugës “Lefter Talo”. Nëse është kështu, për cilën arsye kryebashkiaku Oltian Çaçi ka vendosur që të zhvillojë dy tendera, me fond limit tejet të lartë, rreth 2 milionë euro?
Boldnews.al




