Drejtimi i dobët dhe mungesa e organizimit mund ta kthejnë Shqipërinë në një “Vaterlo”. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot pasi është përballur me pamjet e tregjeve, se nga e hëna nuk do të lejohet asnjë shkelje, dhe se “kokëshkretët”, do të përballen me pasojat, përfshirë këtu edhe burgun. Tirana, Durrësi, Shkodra e Fieri, epiqendrat e COVID-19
TIRANE- Nga e hëna burg për të gjithë ata që do të shkelin masat e sigurisë. Ky është paralajmërimi që ka dhënë kryeministri Edi Rama pas pamjeve tronditëse që u përsëritën këtë të shtunë me qytetarët që u grumbulluan nëpër tregjet dhe marketet e vendit. Rama thotë se shifrat pozitive të deritanishme janë keqkuptuar nga disa “kokëshkretë” që do të përballen me ligjin. Kryeministri thekson se Tirana është “Vaterlo“-ja jonë, (Disfata më e madhe në histori e Napoleon Bonapartit, që jo vetëm i kushtoi shum humbje njerëzish, por shkaktoi edhe rrëzimin e tij), ndërsa shton se e njëjtë është situata edhe për Durrësin. Shkodra, thotë ai, është një bombë me sahat, pas dyfishimit të rasteve, e i njëjti rrezik është edhe në Fier. Kryeministri bëri me dije se Policia Bashkiake dhe Ushtria, do të krijojnë kordonet sanitare, dhe se PSh do të godasë shkelësit me masa të reja ndëshkimore.
REAGIMI I PLOTË:
NËSE KY ËSHTË NIVELI I KUPTIMIT TË DETYRËS QYTETARE NË FRONTIN E KËSAJ LUFTE PËR JETË A VDEKJE DHE MEQË MESA DUKET ECURINË POZITIVE TË LUFTËS DERI TANI, SHUMËKUSH PO E KUPTON GABIMISHT SI ARSYE PËR T’U LËSHUAR ME IDENË SE S’NA GJEN GJË, ATËHERË PËRGJIGJA E SHTETIT DO TË JETË RECIPROKE PËR KËDO QË NUK DO TË HYJË NË RRESHT PËR TË MBAJTUR RADHË! USHTRIA DHE POLICITË BASHKIAKE DO TË KRIJOJNË URGJENTISHT KORDONËT SANITARË TË TREGJEVE. POLICIA E SHTETIT DO TË GODASË SHKELËSIT ME MASA TË REJA NDËSHKIMORE!
MASAT E REJA NDËSHKIMORE DO TË JENË LIGJ DITËN E HËNË DHE PËR KOKËSHKRETËT DO TË SHKOHET DERI NË HEQJE LIRIE! NËSE DO TË LEHTËSOJMË ME PIKATORE POPULLIN E PËRGJEGJSHËM, KOKËSHKRETËVE DO T’UA BËJMË FERR KËTË SJELLJE QË NA FUT NË ZJARR TË GJITHËVE!
*Tirana është vatra më e rrezikshme e luftës. Durrësi njësoj si Tirana mund të kthehet në Vaterlonë tonë. Shkodra është tanimë një bombë me sahat. Fieri është një rrezik i madh potencial. Kudo mund të na iki avantazhi që kemi krijuar, nëqoftëse do ta bëjmë si Kombëtarja Kuqezi që pjesën e parë duket sikur do fitojë, pastaj… Harrojeni, këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar.
Reagimi i kryeministrit Edi Rama vjen pasi është java e tretë që qytetarët shkelin rregullat e distancimit social në afatin e lejuar për të bërë pazaret. Edhe sot, tregu i Kombinatit u kthye në një fole grumbullimi ku nuk munguan pensionistët. Ndërsa Shkodra, të cilës i referohet Rama, dy familje kanë përhapur COVID-19 tek njëra-tjetra duke infektuar jo pak persona. Sakaq, ka një rritje në 24 orët e fundit edhe të numrit të rasteve të reja që ka shkuar në 29, dhe 333 totali, por edhe një viktimë tjetër, që e çoi numrin në 18.