Aurubis, prodhuesi më i madh i bakrit në Europë, thotë se ka rënë pre e një vjedhjeje të madhe, me dëme që shkojnë në qindra miliona euro.
“Gjatë një rishikimi të planifikuar të inventarëve të metalit, Aurubis ka identifikuar mospërputhje të konsiderueshme në inventarin e synuar,” tha kompania gjermane në një deklaratë. Aurubis pretendon se mungesa vjen si shkak e “veprimtarisë kriminale”.
Aurubis prodhon çdo vit rreth 1.1 milion ton “katoda” bakri ose fletë katrore, në fabrikat nëpër Europë dhe Shtetet e Bashkuara. Kompania jep rreth 30% të prodhimit të bakrit për Europën dhe 3% deri në 5% të prodhimit global, i tha agjencisë CNN një zëdhënës i kompanisë.
Bakri përdoret gjerësisht në ndërtim, si në telat elektrikë dhe tubat e ujit. Ai po ashtu është një metal jetik për tranzicionin energjetik, pasi përdoret në turbinat e erës, panelet diellore dhe makinat elektrike.
Goditja financiare nga vjedhja në Aurubis “mund të jetë treshifrore në miliona euro”, tha kompania, duke paralajmëruar se si rezultat nuk do të arrijë fitimin që kishte parashikuar për këtë vit fiskal.
Kompania ka përfshirë Zyrën Shtetërore të Hetimit Penal në Hamburg, Gjermani, ku edhe ka selinë Aurubis. Një zëdhënës i zyrës së prokurorit publik në Hamburg i tha CNN të premten se ende nuk ka marrë informacion nga policia lokale ose zyra e hetimit penal për vjedhjen e raportuar.
Kjo nuk është hera e parë që kompania zbulon vjedhje të dyshuar.
Në qershor, Aurubis tha se kishte identifikuar “aktivitete të kaluara kriminale”. Zyra e prokurorit publik dhe policia po hetojnë një “rrjet të organizuar të vjedhjes” që synon “produktet e ndërmjetme”, të cilat përmbajnë metale të çmuara dhe që janë pjesë e proceseve të prodhimit të kompanisë.