Gjykata e Posaçme e Apelit le të pandryshuar dënimin me 10 vite burg për Bijan Pooladrag, iranianin e akuzuar për “organizatë terroriste” dhe “kryerje e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”.
Pooladrag është ish-anëtar i MEK në Manzë. Ai u largua nga kampi dhe u vendos në një banesë me qira në rrugën “5 maji” në Tiranë.
Sipas SPAK, Pooladrag u vu në kontakt me dy agjentë të shërbimit sekret iranian, të cilëve iu dërgonte të dhëna nga kampi i MEK në Manzë, si edhe mori porosi prej tyre për kryerje aktesh terroriste.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Miliana Muça (anëtare) dhe Daniela Shirka (anëtare), më datë 17.07.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 30 akti, datë 11.04.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri B.P kundër vendimit nr. 68, datë 14.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit B.P. për veprën penale “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, parashikuar nga neni 230/ç të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit B.P. për veprën penale “Organizata terroriste”, parashikuar nga neni 234/a, paragrafi i dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit B.P. për veprën penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, parashikuar nga neni 293/a, paragrafi i parë të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit B.P. për veprën penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, parashikuar nga neni 293/b, paragrafi i parë të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit B.P. për veprën penale “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, parashikuar nga neni 293/c, paragrafi i parë të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit B.P. për veprën penale “Keqpërdorimi i pajisjeve”, parashikuar nga neni 293/ç, paragrafi i parë të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.
Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, caktimin e një dënimi të vetëm për të pandehurin B.P., atë me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit B.P. i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) vjet burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin B.P. të fillojë nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj tij.
Në aplikim të nenit 16, pika 1, germa “a” të ligjit nr. 91/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, i pandehuri B.P. ta vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë…”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 68, datë 14.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”Njoftimi i gjykatës