Dy doganierë në Doganën e Kakavijës janë arrestuar dhe 4 të tjerë janë shpallur ne kërkim pasi akuzohen se në këmbim të ryshfetit kanë lënë kalimin e 4 kamionëve, 1 trajleri dhe një furgoni pa u kontrolluar. Gjithashtu policia ka arrestuar edhe 6 shoferët që në kamionët e tyre kishin mallrat të kontrabanduara.
Operacioni i urdhëruar nga Prokuroria Gjirokastrës, nisi prej mëngjesit të së shtunës deri në orët e para të së dielës dhe u zhvillua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Policinë e Gjirokastrës.
Me urdhër të Prokurorisë së Gjirokastrës janë arrestuar përgjegjësi i doganës së Kakavijës Ardit Abrija, doganieri i kontrollit fizik, Eliod Shurdhaj dhe u shpallën në kërkim Arben Marvataj (doganier i parkimit) si dhe 3 punonjësit e Antikontrabandës Astrit Xhaxha, Arjan Mustafaj Fatjon Osmani).
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka reaguar menjëherë pas zhvillimit të aksionit dhe ka njoftuar se Komisioni i Disiplinës ka marrë vendimin për pezullimin e të gjithë personave të përfshirë janë pezulluar nga puna dhe se ka nisur hetimin e thelluar sipas legjislacionit në fuqi.
Mësohet se AMP kishte marrë informacione dhe denoncime se doganierë dhe efektivë policie ishin të përfshirë në skema korruptive në lidhje me procedurat e parregullta të zhdoganimit duke përfituar shuma parash.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa dhjetëra tonë mallra të padeklaruara, aparate telefonikë celular, vlera monetare, etj. Gazetarja e Report Tv Keti Banushi ka siguruar pamjet e kampionëve të tonazhit të rëndë si dhe mjete të tjera të mbushura me mallra që kaluan pikën kufitare pa kryer kontrolle si dhe duke i shmangur pagesave të zhdoganimit që janë bllokuar.