Vlora Hyseni është emri i kreut të qeverisë për kreun e re të Shërbimit Informaiv të Shtetit. Kryeministri Edi Rama njoftoi përmes një postimi në Facebook se Hyseni është propozimi që i dorëzuar në tavolinë Presidentit Bajram Begaj për të zënë pozicionin e kryetares së SHISH. Por, Hyseni duket se nuk ka një të shkuar aq ‘të pastër’ përsa u përket detyrave që i janë caktuar më herët.
Vlora Hyseni më parë ka mbajtur pozicionin e zv/drejtores së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë si dhe të drejtores së këtij institucioni për katër muaj rresht, gjatë periudhës që mbeti pa drejtor. Ajo u emërua nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës që nga dhjetori i vitit 2020, kur u shkarkua drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të vitit 2021, ku në këtë karrige e zëvendësoi Petrit Ajeti.
Më 30 qershor të vitit 2021, i sapo zgjedhur si kryeministër, Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani lajmëruan me një njoftim të beftë shkarkimin e Vlora Hysenit. Në njoftim thuhet se ky vendim është marrë në mbështetje të nenit 6 (paragrafi 4) të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Presidenca dhe ZKM-ja shpjegojnë se e kanë paralajmëruar Hysenin se mosruajtja e informacioneve që ajo i posedon nga puna në AKI, do të mund t’i kushtonte asaj, gjë që si duket ajo nuk e kishte marrë në konsideratë.
“Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar,”- thuhet në njoftim.
Hyseni nga informacionet e pakta që dihen për të, përshkruhet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo flet disa gjuhë të huaja.
Por, deri më tani nuk bëhen me dije se cilat kanë qenë informacionet e klasifikuara që ajo nuk i ka ruajtur dhe i ka ndarë me ‘armiqtë’ e Kosovës, duke qenë se sipas mediave të Kosovës përshkruhet si njeriu i Hashim Thaçit dhe ‘mbuluese’ e çdo marrëdhënieje që lidh Kosovën me Serbinë.
Por, pavarësisht dyshimeve, edhe pse zyrtarisht nuk ka pasur asnjë akuzë, kryeministri Edi Rama e bëri ojesë të stafit të tij. Vetëm disa muaj pas shkarkimit të saj si zv/drejtore e AKI-së, Hyseni është punësuar nga Rama si këshilltare e tij.
Por mesa duket, Hyseni, ndryshe nga raporti që mbajti me qeverinë e Kosovës, me Ramën është treguar mjaft besnike dhe për këtë arsye, por shpërblehet me postin e ri.