Familja e Faton Hajrizit ka paditur kryeministrin Albin Kurti, zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexha si dhe avokatin Gazmend Halilaj, pasi pretendojnë se i kanë ofenduar kur kanë folur për rastin e anëtarit të tyre të ndjerë.
Artan Hajrizi këmbëngul se vëllai i tij, Fatoni, nuk mund të quhet kriminel. “Qito janë që e quajnë kriminelë, për çka ta quajnë njeriun kriminel, ai s’ka bërë krime, një njeri kriminel quhet kur kryen masakra, prenë gra e fëmijë, ai quhet kriminel jo tash vetëm që u ik prej burgu e quajnë kriminel”, tha Artan Hajrizi.
“Përdorimi i shprehje ofenduese, fyese, me terminologji kriminel nuk njihet në kod dhe literaturë, andaj si avokat nuk e kam pa të arsyeshme që dikush të ketë komoditetin aq më tepër në qeveri, në mbledhjen e qeverisë ku diskutohen planet shtetërore afatgjate aty është keqpërdor etika e postit që përfaqësojnë”, tha avokati i familjes Hajrizi, Gent Gjini.
Familja kërkon që këta persona të tërheqin fjalët e tyre dhe të kërkojnë falje ndërsa u përmend si mundësi edhe kompensimi. Ndërsa nga avokati Gazmend Halilaj që të sqarojë një deklaratë të tij se kush qëndron pas vrasjes së një ushtari rus për të cilin ishte dënuar Faton Hajrizi.
“Mua më vret më së shumti ky që ka dal ka deklaruar, e di unë kush e ka vra rusin, nuk e ka vra Faton Hajrizi ka thënë por e di unë, por ky duhet me dhënë përgjegjësi kush është ai person që e ka vra rusin e vëllai im ishte 20 vjet burg e pas 20 vitesh po del po thotë e di unë kush e ka vra, e ky duhet me dhonë përgjegjësi para shtetit, para të gjithëve, e jo të fshihet”, tha vëllai i Faton Hajrizit.
Vëllai i Fatonit, Artani ka qenë i përfshirë në rast pasi dokumentet e tij ishin gjetur në vendin ku ishte vrarë efektiv serb. Ai tha se nuk ka pasur probleme me autoritetet në Kosovë dhe Gjermani dhe po lëviz lirshëm.
“Po lëviz lirisht se nuk kam probleme me shtetin kurgjo, as me Gjermani nuk kam kurgjo, absolutisht, në Gjermani kam dal i lirë, nuk kam asnjë vepër”, tha Artan Hajrizi.
Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik të këtij viti dhe më pas ishte akuzuar se ka vrarë një polic në Serbi ndërsa u vra nga autoritetet serbe më 19 korrik.