Në Gjykatën e Sarandës u zhvillua këtë të martë procesi gjyqësor për vdekjen tragjike të 29-vjeçares britanike Rebecca Gannon, e cila humbi jetën më 20 gusht 2022, gjatë një zhytjeje nënujore në ujërat e Sarandës.
Në bankën e të akuzuarve duhet të ishte Sajmir Kushova, ish-instruktor zhytjeje dhe drejtues i “Saranda Diving Center”, i cili akuzohet për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” sipas nenit 289 të Kodit Penal. Megjithatë, gjyqi po zhvillohet në mungesë, pasi 47-vjeçari ndodhet aktualisht në burg në Norvegji, ku vuan një dënim prej 15 vitesh për trafik droge.
Në seancën e parë, prokurorja Valbona Maja paraqiti rrethanat e ngjarjes, kërkoi administrimin e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve të prokurorisë. Nga ana tjetër, mbrojtja, përfaqësuar nga avokati Rigels Dërvishi, kërkoi që të administrohet një shkresë e Repartit RENEA dhe të pyetet eksperti që hartoi aktin e ekspertimit.
Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm edhe babai i viktimës, George Gannon, i cili prej tre vitesh kërkon drejtësi për vajzën e tij të vetme. Ai kërkoi që të thirren si dëshmitarë 10 personat që kanë qenë pjesë e ekspeditës nënujore në ditën e ngjarjes. “Procesi ka qenë shumë i ngadaltë, por unë nuk do të ndalem derisa të marr drejtësi për Rebeccën. Dua që ai që është përgjegjës për vdekjen e saj të kalojë pjesën e mbetur të jetës në burg”, është shprehur Gannon për mediat.
Ndërkohë, avokati Dërvishi deklaroi se sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore, Rebecca Gannon është gjetur e vetme nën ujë, çka sipas tij tregon se përgjegjësia kryesore bie mbi partnerin e saj të zhytjes, Robert Kerans, dhe jo mbi instruktorin Kushova.
Rebecca Gannon kishte ardhur në Shqipëri për një ekspeditë private zhytjeje, të organizuar nga “Saranda Diving Center”, qendra që drejtohej nga Sajmir Kushova. Pas ngjarjes, në vitin 2022, Kushova u la nga gjykata me masë sigurie “detyrim paraqitjeje” kundrejt një garancie pasurore prej 1.5 milionë lekësh, por ai u largua jashtë vendit, duke shkelur vendimin e gjykatës.
Në vitin 2023, ai u arrestua në Norvegji, në qytetin Husnes, gjatë një operacioni ndërkombëtar ku u kapën 150 kilogramë kokainë që po nxirreshin nga anija “Nordloire”. Së bashku me pesë polumbarë të tjerë shqiptarë, Kushova u dënua nga gjykata norvegjeze me 15 vite burgim për trafik droge, dënim që po e vuan aktualisht në burgun norvegjeze.
Gjykata e Sarandës do të zhvillojë seancën e radhës më 18 nëntor, me kërkesë të babait të viktimës, George Gannon, i cili ka deklaruar se do të ndjekë çdo hap të procesit deri në dhënien e drejtësisë për vajzën e tij.




