JACKSON DIEHL
E vërteta është viktima e parë në luftë, thotë thënia e vjetër. Konkluzioni mund të jetë që gazetarët shpesh janë dëmi kolateral. Kjo ndoshta nuk ka qenë kurrë më universalisht e vërtetë, se sa në betejën e vazhdueshme kundër koronavirusit. Në të gjithë botën, si qeveritë autokrate ashtu edhe ato demokratike i janë përgjigjur epidemisë duke kufizuar informacionin, duke kriminalizuar raportimet e pavarura dhe duke sulmuar raportuesit – gojarisht dhe nganjëherë fizikisht.
«Quajeni shtypja e Covid 19», thotë Joel Simon, drejtori ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Organizata e tij ka hartuar, atë që ai thotë se është një listë e pjesshme e 200 rasteve të arrestimeve, kërcënimeve dhe ngacmimeve në lidhje me mbulimin e pandemisë në media. Kjo përfshin burgosjen e gazetarëve në Republikën Dominikane, Nigeri, Kenia, Etiopi, Iran, Liberi dhe Turqi.
Jo, askush nuk është arrestuar ende në Shtetet e Bashkuara; Presidenti Trump është kufizuar duke u lëshuar me fyerje dhe shpifje ndaj reporterëve që marrin pjesë në reality show-n e përditshëm, që ai e quan konferencë për shtyp. Por Trump u ka dhënë qeverive në të gjithë botën një model për shtypjen e gazetarisë së pavarur mbi epideminë: konstruktin e “lajmeve të rreme”.
Në një webinar të organizuar nga Instituti Aspen javën e kaluar, Simon nxorri një listë të gjatë të vendeve që kanë miratuar rregullore ose ligje të reja, që kriminalizojnë raportimin e informacionit “të rremë” në lidhje me epideminë – arbitër mbi atë që përbën informacion të rremë janë vetë qeveritë. Disa janë të dyshuarit e zakonshëm autokratë: Rusia e Vladimir Putinit, Irani, Tajlanda, Zimbabveja. Por një numër befasues shtetesh, zakonisht mendohen si demokraci me lirinë e fjalës të garantuar: mes tyre Hungaria, Afrika e Jugut dhe Bolivia.
Një nga rastet më të jashtëzakonshme është India, ku Kryeministri Narendra Modi ka vendosur një bllokim tre-javor për 1.3 miliardë banorët, gjë që ishte e nevojshme – dhe bëri një përpjekje të jashtëzakonshme për të bllokuar edhe gazetarët, gjë që nuk ishte e nevojshme. Qeveria shtyu për një vendim nga Gjykata e Lartë e Indisë duke kërkuar nga të gjitha mediat të botojnë vetëm informacione zyrtare mbi pandeminë. Megjithëse gjykata nuk shkoi aq larg, Modi ka detyruar shumicën e mediave të sillen sikur të jetë miratuar nga Gjykata kjo kërkesë.
Ai ndërkohë e ka reduktuar rrjedhën e këtij informacioni zyrtar në një mashtrim. Ai ende nuk ka mbajtur një konferencë shtypi mbi koronavirusin; as ministri i shëndetësisë. Në vend të kësaj, gazetarët e përzgjedhur janë të ftuar të marrin njoftime nga një zyrtar i nivelit të ulët. “Ne të gjithë po citojmë burokratin e ri,” tha Raksha Kumar, një gazetare e pavarur. Ajo shtoi në ëebinarin e Aspen, se vetëm media shtetërore pro-Modit lejohej të shtronte pyetje në konferencë.
Gazetarët indiane që e refuzojnë këtë regjim rrezikojnë shumë. Vidya Krishnan, një reportere e pavarur e kujdesit shëndetësor, shkroi artikuj që tregojnë dështimin e qeverisë për të grumbulluar pajisje mbrojtëse. Në mënyrë të parashikueshme, zyrtarët i etiketuan artikujt si “lajme të rreme”, dhe ajo iu nënshtrua vërshimit të sulmeve në internet. “Në punën time duke raportuar mbi 17, gati 18 vjet për shëndetin, kurrë nuk kam parë diçka të tillë,” tha Krishnan në një intervistë me Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve. “Më kanë quajtur jo patriote, thirrur tradhëtare, njerëzit kërkojnë që unë të arrestohem menjëherë për përhapjen e lajmeve të rreme”.
Rasti i Krishnan është ilustrues tipik i situatës në shumë vende ku sulmet drejtohen kundër gazetarëve që raportojnë për mungesat në pajisjet mjekësore, ose dyshojnë për shifrat zyrtare për numrin e infeksioneve ose vdekjeve. Rasti zero mund të ketë qenë Chen Qiushi, një gazetar kinez që udhëtoi në Ëuhan në janar dhe postoi video në YouTube, duke raportuar se spitalet atje ishin të mbingarkuara me pacientë dhe me mangësi në furnizime.
Më 6 shkurt, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Chen u zhduk pasi i tha familjes se kishte në plan të raportonte nga një spital i përkohshëm. Ai ende nuk është gjetur.
Ka pasur raste të shumta të ngjashme. Tre gazetarë algjerianë që ngrinin dyshime mbi rezultatet e testimeve nga një laborator shtetëror po ndiqen penalisht. Një gazetar iranian u arrestua pasi kritikoi në Tëitter dështimin e qeverisë së tij për t’u përgatitur për pandeminë. Në Haiti, tetë gazetarë që hetojnë nëse një zyrë qeveritare po i detyronte njerëzit të mblidheshin së bashku u sulmuan nga disa banditë.
Korrespondentët e huaj nuk kanë qenë imunë. Egjipti dëboi një korrespondent nga gazeta britanike Guardian i cili vinte në dyshim shifrat zyrtare për infeksionet; Iraku pezulloi licencën e zyrës së Reuters në Bagdad sepse ajo bëri të njëjtën gjë. Dëbimi nga Kina muajin e fundit të gazetarëve nga “The Post”, “New York Times” dhe “Wall Street Journal” nuk ishte nominalisht i lidhur me epideminë, por ka pasur efektin e zvogëlimit të raportimit të pavarur, në një kohë kur regjimi i Xi Jinping dyshohet për falsifikim të statistikave.
Simon thekson se Kina po e shpreh hapur idenë se kontrolli i informacionit është thelbësor për ndalimin e sëmundjes. “Ekziston një rrezik i madh,” tha ai, që ky argument “po zë vend në të gjithë botën”. Nëse kjo ndodh, një arsye kryesore do të jetë që demokracia udhëheqëse në botë jo vetëm që nuk bën asgjë për të ndaluar “shtypjen e Covid 19”, por madje presidenti i saj po e mbështet aktivisht atë. / The Washington Post – Bota.al