Lumturije Nonaj, rapsodia nga Malësia e Madhe, ka një histori që të rrëmben jo vetëm për talentin e saj, por edhe për faktin se ajo është e vetmja grua që luan lahutë profesionalisht, duke ruajtur një traditë mijëravjeçare që zakonisht i atribuohet burrave.
Në Dita Jonë, Lumturia nisi duke interpretuar me lahutë, në një ditë të veçantë për artin shqiptar, lahuta është zyrtarisht pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
“Jam shumë e lumtur që me zërin, xhubletën dhe lahutën jam tashmë në UNESCO përgjithmonë”, u shpreh Nonaj, ndërsa tregoi emocionet e forta që përjetoi sapo mori lajmin. Ajo e konsideron veten “pasaportën e lahutës në UNESCO”, pasi është e vetmja rapsode femër që ecën krah burrave në këtë traditë të lashtë.
Lumturia rrëfeu se tradita e lahutës në familjen Nonaj është po aq e vjetër sa vetë xhubleta, rreth 4000-vjeçare. Mësuesi i saj ishte lahutari legjendar Gjok Nonaj, i cili sipas saj ishte ai që vendosi të thyejë paragjykimet dhe t’i mësojë lahutën mbesës së tij, pavarësisht kritikave se “ka burra boll për lahutë”.
Por Lumturija nuk mjaftohet vetëm me interpretimin: ajo është edhe punuese lahutash. Në studio tregoi një prej instrumenteve të punuar me dorë nga vetë ajo, një proces që i ka marrë rreth dy javë pune intensive. Ajo ka në pronësi 26 instrumente dhe i luan të gjitha.




