Një grua nga Wisconsin, e cila ishte shpallur e zhdukur që nga viti 1962, është gjetur gjallë pas më shumë se gjashtë dekadash, sipas autoriteteve lokale.
Audrey Backeberg, tashmë 82 vjeç, ishte zhdukur në moshën 20-vjeçare dhe është gjetur duke jetuar jashtë shtetit të Wisconsin-it, njoftoi Zyra e Sherifit të Qarkut Sauk. Lokacioni i saktë nuk është bërë publik, sipas medias së huaj.
Sipas deklaratës zyrtare, hetimet e reja kanë treguar se zhdukja e saj ishte me dëshirën e saj dhe nuk kishte të bënte me ndonjë aktivitet kriminal apo lojë të pistë.
Audrey kishte lënë shtëpinë më 7 korrik 1962 për të marrë një pagesë në fabrikën ku punonte, por nuk ishte kthyer më. Sipas dëshmisë së dado-s që ishte me të atë ditë, ato kishin bërë autostop drejt Madison dhe më pas kishin marrë një autobus për në Indianapolis, ku edhe ishte parë për herë të fundit.
Sipas “The Charley Project”, Backeberg ishte martuar që në moshën 15-vjeçare me Ronald Backeberg dhe kishte pasur një martesë të vështirë, me pretendime për dhunë dhe kërcënime për jetën nga ana e bashkëshortit. Madje, në kohën e zhdukjes, ajo kishte ngritur një kallëzim penal kundër tij.
Rasti i saj u rihap si pjesë e një hetimi të thelluar të dosjeve të vjetra nga detektivi Isaac Hanson, i cili arriti ta gjente Audrey-n përmes një profili të motrës së saj në platformën Ancestry.com. Ai përdori të dhëna si regjistrat e censit dhe dokumentet e vdekjes për të ndërtuar gjurmët që çuan në një adresë të re.
“Pas vetëm dhjetë minutash nga kontrolli i autoriteteve lokale në adresën e sugjeruar, ajo më telefonoi personalisht dhe biseduam për 45 minuta,” tha detektivi Hanson për WISN. “Dukej e qetë, e vendosur dhe pa ndonjë pendesë për vendimin që kishte marrë për të nisur një jetë të re.”
Zbulimi i saj pas 60 vitesh është një rast i rrallë që hedh dritë mbi kompleksitetin e rasteve të zhdukjes dhe fuqinë që teknologjia ka për të zgjidhur mistere të vjetra.