Një muaj i marrëdhënieve aspak normale mes dy kryeministrave shqiptarë, Edi Rama dhe Albin Kurti, që nisi me draftin për Asociacionin që u prezantua nga Tirana, anulimin e mbledhjes së 2 qeverive, propozimin për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, kulmoi sot me refuzimin për t’u takuar nesër në Prishtinë.
Analisti Dritëro Arifi foli në Debat nga Alba Alishani për vizitën e së enjtes të Edi Ramës në Prishtinë, duke thënë se Kosova është në një situatë që nuk duhet të shmang takimet për asnjë motiv. Ai tha se Kurti po e dëmton Kosovën për arsye personale.
“Kurti po e relativizon gjithçka. Edhe nëse mbahet mbledhja e dy qeverive, sërish Kosova dhe Shqipëria nuk do të bëhen parajsë që në ditën e nesërme. Politikbërja dhe marrëveshjet janë proces.
Të dy kryeministrat kanë pasur fërkime me fjalë e me ide gjatë viteve të fundit, por Kosova është në një pozitivë që edhe nëse djalli vjen, ne duhet ta takojmë. Zoti Rama nuk është djalli, është një vend mik dhe vend i NATO-s. Për mendimin tim, për arsye personale, Kurti po e dëmton Kosovën. Dialogu ka degraduar. Nga një dialog për marrëveshje, për njohje reciproke, sot po flasim për çtensionim të situatës. Një ndër fajtorët kryesorë është edhe qeveria e Kosovës.