Kosovës i është shtuar edhe një medalje ndërkombëtare, boksieri Ardit Delijajt e ka fituar medaljen e argjendtë në turneun e 63-të memorial ndërkombëtar “Bostvan Istvan”, që u mbajt në Debrecen tëHungarisë.
“Delijaj u mposht në finale nga holandezi, Artjom Kasparian, pas dorëzimit të meçit nga trajneri Shefki Bogujevci, shkaku i dhimbjeve në shpinë të Delijajt”, njofton Federata e Boksit e Kosovës.
Delijaj në kategorinë deri në 81 kilogramë shënoi dy fitorenë dy ditët e fundit, për t’u kualifikuar në finalen e sotme.
Pjesëmarrës në turne ishte edhe boksieri tjetër, Shpëtim Bajoku, i cili u mposht në luftën e parë të kategorisë -64 kg.
Në turne morën pjesë 27 shtete të botës me 182 boksierë, ku në mesin e tyre kishte edhe kampion bote dhe medalistë Olimpikë.
Në turne dhe në finale, drejtësinë e ndau edhe gjyqtari ndërkombëtar, Latif Demolli.
KOK përgëzon suksesin e boksierit Delijaj dhe komunitetit të boksit në Kosovë.
Medalje të argjendtë sot ka fituar edhe xhudistja kosovare, Distria Krasniqi në turneun ndërkombëtar të mbajtur në Paris.