Edhe SHBA kritikon Serbinë: Shkeli marrëveshjen me projektligjin për juridiksion gjyqësor në Kosovë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Pas BE, edhe SHBA kritikon Serbinë, për miratimin e projektligjit për juridiksion gjyqësor në Kosovë, dhe shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë sociale. Në një reagim për radion Evropa e Liri, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se Beogradi ka shkelur detyrimet që burojnë nga dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli.

“Ne përsërisim mbështetjen e Qeverisë amerikane për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës në gjithë territorin e saj”, tha një zëdhënës i DASH.

Po ashtu Uashingtoni u kërkoi palëve të zbatojnë pa vonesa marrëveshjen drejt normalizimit.

“Ajo duhet të zbatohet. Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë, pa vonesa, zotimet që kanë bërë në Marrëveshjen e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të raporteve, përfshirë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i DASH.

Një ditë më herët edhe BE kritikoi Serbinë për projektligjin që synon ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.  Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se projektligjet janë reagim, ndaj, siç u shpreh ai, “shtypjes së popullit serb nga regjimi në Prishtinë dhe mungesës së veprimeve të dukshme nga misioni i BE-së, EULEX”.

Ai tha po ashtu se “nëse do të kishte sundim të ligjit në Kosovë dhe nëse serbët do të kishin ndonjë siguri juridike”, atëherë ligji i propozuar nga Qeveria në Beograd nuk do të ishte i nevojshëm”. 

Share This Article