Skuadra e Bundesligës gjermane, Eintracht Frankfurt, ka njoftuar të enjten mbrëma për rastin e parë me koronavirus te kjo skuadër.
Klubi ka njoftuar se e gjithë skuadra së bashku me stafin teknik dhe disa punonjës do të testohen së shpejti dhe do të futen në karantinë për 14 ditë.
Lojtari, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, është ankuar për plogështi dhe simptoma të zakonshme të sëmurjes. Pasi është testuar, rezultati i doli pozitiv për koronavirus.
“Për shkak të zhvillimeve, trajneri Adi Hutter, i ka kërkuar lojtarëve stërvitje individuale për të minimizuar rrezikun e infeksionit”, thuhet në njoftim.
“Për fat të keq ishte vetëm çështje kohe. Por ne do të tejkalojmë këtë situatë të vështirë. Do të mund të ishte secili. Të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të qëndrojmë në shtëpi”, ka thënë drejtori sportiv i Eintrachtit, Fredi Bobic.