Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne kemi kursyer çerekmilionë orë për marrëdhëniet biznes-shtet në aspektin e radhëve, pritjeve dhe zvarritjeve duke i kaluar një pjesë të madhe të kontakteve me shtetin online, ndërsa 4 vjeçarin e ardhshëm synojmë që gjithçka të jetë online për biznesin, duke nisur nga marrëdhënia biznes-qeveri, biznes-biznes dhe biznes-konsumator”.
Në konferencën e përjavshme për shtyp me fokus ekonominë, Kryeministri Edi Rama tha se biznesi sot nuk ka se si të ndihet i lumtur dhe i kënaqur, kur në të njëjtën kohë duhet të përballet me forca dhe situata që lidhen me arbitraritetin e administratës tatimore.
“Por ç’duhet të bëjnë? Duhet të zgjedhin kthimin prapa apo vazhdimin e kësaj pune që do të thotë largim përfundimtar i elementëve abuziv që sjell me vete një sistem i bazuar në kontroll të drejtpërdrejt nga njeriu dhe vendosja në një sistem tjetër ku punën e garantimit të marrëdhënies mes biznesit si prodhues të ardhurash dhe kontributor për shtetin nuk e bën një ushtri inspektorësh, por një sistem i tërë inteligjent, i cili ka një sërë komponentësh ku fokusi është fiskalizimi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ne kemi hedhur të gjitha piketat dhe sistemet e nevojshme për të bërë një karabina me themele, kolona dhe mure, pra për të krijuar një mjedis komod duke filluara nga energjia, interneti, uji dhe dritat”.
“Ne duam që gjithë sistemi 30-vjeçar i punës me shkop në dorë i administratës tatimore të kthehet nga një punë krahu në një punë inteligjente, e bazuar tek kompjuteri”.
“Truri inteligjent i gjithë sistemit të kompjuterizuar do të japë në kohë reale të dhëna për transaksionet e çdo individi që bën biznes në Republikën e Shqipërisë. Kjo nuk është një ëndërr, as një ide, por është një punë që ka filluar sot që flasim”, tha Rama.
Ai theksoi se fiskalizimi ka filluar me marrëdhënien biznes-qeveri, me një numër të konsiderueshëm transaksionesh dhe në dy faza të tjera do të hyhet në aspektin biznes-biznes dhe pastaj biznes-konsumator”.
“Kjo do të thotë të evitohet gjithë ai zinxhir problemesh që krijojnë hapësirë për informalitet në marrëdhëniet biznes-biznes, duke i vendosur të gjithë në pozita të barabarta dhe duke e bërë sistemin krejtësisht transparent dhe të kontrollueshëm”, tha Rama.
Ai theksoi se “do t’i jepet mundësi kujtdo që të kontrolloj sjelljen e shtetit në raport me biznesin dhe anasjelltas”.
“Është themelore të kuptohet që punën e bërë për këtë karabina kolosale nuk ka të tjera forca që e bëjnë dot, dhe jo më pastaj që ta çojnë deri në fund”, tha Rama.