Kryeministri Edi Rama foli sot për transformimin digjital në konferencën ndërkombëtare “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, ku Shqipëria mikpret rajonin për të diskutuar revolucionin digjital si fuqi e re e mirëqeverisjes.
Shqipëria po punon që përmes inteligjencë artificiale të integrojë në sistemin e monitorimit të lëvizjes së parasë një model që do të çojë në një nivel tjetër të gjithë procesin e transparencës. Këtë e konfirmoi sot kryeministri Edi Rama.
Rama tha se në aspektin e prokurimeve publike nuk kemi asnjë piketë të ndërmjetme dhe jemi të parët në rajon.
Kryeministri theksoi se në këtë drejtim Shqipëria ka lënë pas shumë vende të zhvilluara të BE-së, ndërsa solli në vëmendje indeksin e Bazelit për luftën kundër pastrimit të parave.
“Në kushtet sotme nuk është e nevojshme jo vetëm të bëhemi si gjermanët që i kemi lënë mbrapa bashkë me disa vende të tjera në atë që është një tjetër pikë ku na godasin rregullisht me shkopin e mësuesit, me pastrimin e parave. Këtë nuk e them unë por e thotë indeksi i Bazelit. Janë jo pak, por janë 7 apo 8 vendet të BE-së që në indeksin e Bazelit për pastrimin e parave renditen pas Shqipërisë”, tha Rama.
Por, kryeministri theksoi se “nuk jemi të kënaqur me kaq”.
“Mirëpresim goditjet dhe leksionet se duam të bëhemi shumë më të mirë. Me inteligjencën artificiale ne po punojmë që të integrojmë në sistemin e monitorimit të lëvizjes së parasë një model që do të çojë në një nivel tjetër të gjithë procesin e transparencës”, tha Rama.