ALB UK News

Menu
  • Home
  • Albania
  • Kosova
  • UK
  • Kina
  • Diaspora
  • Bota
  • Maqedonia
  • Sports
  • Show – Biz
    • Kulture
    • Technologji
    • Opinion
    • Shendetesi
    • Shqiperia
    • Popular
  • ALBUK.TV
  • Kontakto
    • Live TV & Studio Kontakt
    • Termat dhe Kushtet
    • Terms and Condition
  TRENDING
Sarah Ferguson u përjashtua nga organizata bamirëse për shkak të email-it të Epsteinit 24 minutes ago
Gjermania po përgatitet për konflikt me Rusinë, gati plani për infrastruktura që strehojnë deri 1000 të plagosur në ditë 30 minutes ago
Njohja e shtetit të Palestinës, Britania e Madhe paralajmëron Izraelin të mos hakmerret 56 minutes ago
Koreja e Jugut do të pranonte një marrëveshje Trump-Kim për ngrirjen e programit bërthamor, i thotë presidenti BBC-së 57 minutes ago
“Thaçi nuk ishte kryekomandant”, Duncan: UÇK kishte përbërje heterogjene 59 minutes ago
Next
Prev
Home Albania

Eduart Halimi: Shkarkimi i Veliajt, precedent i rrezikshëm ligjor

albnews by albnews
22 September, 2025
in Albania, Opinion
0
Eduart Halimi: Shkarkimi i Veliajt, precedent i rrezikshëm ligjor
  • Facebook
  • Share on X
  • LinkedIn
  • WhatsApp
  • Email
  • Copy Link

Ish-ministri i Drejtësisë, avokati Eduart Halimi, nëpërmjet një shkrimi, ka analizuar bazën ligjore mbi të cilën është paralajmëruar shkarkimii i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim nën akuzat e SPAK.

Në shkrimin e tij, Halimi argumenton se neni 62 i ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” krijon një precedent të ri, pasi parashikon ndërprerjen automatike të mandatit të kryetarit të bashkisë nëse mungon mbi 3 muaj, pa bërë dallim mes mungesës me arsye apo pa arsye.

RelatedPosts

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Spiropali në Nju-Jork: Shqipëria, aktor konstruktiv e i besueshëm në arenën ndërkombëtare

Tonelata me tranguj në kanal, fermerët: Dolëm piramidë, miliona lekë dëme

Zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, Berisha: Kemi kandidatët e përshtatshëm përballë Manastirliut

Sipas tij, kjo dispozitë është shumë më e rreptë se ajo për deputetët, të cilët humbin mandatin vetëm në rast mungese pa arsye për më shumë se 6 muaj. Për Halimin, ky dallim është i pajustifikuar dhe e bën Shqipërinë një përjashtim në raport me shumicën e vendeve të BE-së, ku rregullat janë më fleksibël dhe parashikohet zëvendësim i përkohshëm në vend të humbjes së menjëhershme të mandatit.

Halimi sjell edhe shembuj nga Italia, Greqia, Kroacia dhe Gjermania, ku nuk ekziston klauzola për mungesë të gjatë, si dhe referenca nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Komisionit të Venecias, që kërkojnë proporcionalitet në masat ndaj të zgjedhurve vendorë.

Ai paralajmëron se zbatimi mekanik i nenit 62 rrezikon të shndërrohet në “paradoks demokratik”, duke ndërprerë një mandat të fituar me votë popullore pa një vendim penal të formës së prerë.

Ish-ministri i Drejtësisë sugjeron që ligji shqiptar duhet rishikuar, duke parashikuar zëvendësim të përkohshëm dhe dallim mes mungesës me arsye dhe pa arsye, për ta përafruar me standardet evropiane dhe për të shmangur përdorimin politik të ligjit./TemA

Shkrimi i plotë:

Rishikim i ligjit e jo cenim i të drejtave politike! Pse ka Shqipëria një regjim më të rreptë se vendet e BE

Nga Eduart Halimi

Në Shqipëri, kryeministri ka paralajmëruar shkarkimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë (PS) i paraburgosur dhe akuzuar nga SPAK për 13 vepra penale, (por ende pa vendim penal të formës së prerë) duke përdorur nenin 62 të ligjit 139/2015. Po e them që në fillim se qëllimi im kur u ula për këtë shkrim, lidhet thelbësisht me profesionin tim si avokat dhe nuk ka asnjë qasje për të mbrojtur apo sulmuar ndonjë nga palët e në këtë konflikt. Për shkak të ‘backround’-it tim, si votues kundër z.Veliaj dhe si njeri që admiroj dhe votoj familjen time politike, do të doja që zgjedhjet të zhvilloheshin një orë e parë, të kishim sa më shumë kandidatë për të zgjedhur nga opozita, kjo të fillonte fushatën dhe të fitonte zgjedhjet në Tiranë.

Por, ky shkrim nuk ka qëllim të mbajë anë dhe do të përqendrohet në analizë ligjore thelbësisht profesionale për shkak se ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe mund të kthehet në një precedent ligjor. Edhe pse debati është brenda forcës politike që qeverisë në mandatin e katërt dhe koncepti “lawfare” (përdorimi i ligjit kundër kundërshtarit politik) nuk është relevant sot, kjo sjellje mund të përsëritet dhe ngjarja mund të vijë në oborrin tonë, të opozitës. Si jurist dhe avokat prej më shumë se 30 vjetësh, rregulli i prezumimit të pafajësisë është i shenjtë dhe po ashtu personalisht jam kundër çdo lloj linçimi publik ndaj kujtdo që në 5 vitet e fundit është kthyer në një proces degradues në formën e tij më të keqe.

Por, le të shohim një analizë të shkurtër ligjore më poshtë:

1. KORNIZA SHQIPTARE, DALLIMI MES DEPUTETIT DHE KRYETARIT TË BASHKISË

Në Shqipëri, Ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” u miratua në parlament në datë 17 dhjetor 2015, me 86 votat e mazhorancës dhe votat kundër të opozitës. Neni 62 parashikon që “Kryetari i Bashkisë propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” pa bërë dallim midis mungesës “me arsye” apo “pa arsye”. Kjo është një normë strikte dhe automatike, që i jep mundësinë këshillit bashkiak të propozojë shkarkimin dhe Këshillit të Ministrave ta vendosë. Ne relacionin që shoqëronte projektligjin nuk gjeta ndonjë shpjegim të qeverisë për këtë nen, përveç faktit se kishte nuanca të ligjit italian dhe se nuk kishte për synim përafrimin me “acquis communautaire” (EU).

Nga ana tjetër, Kushtetuta e Shqipërisë, neni 71/2 thotë se mandati i deputetit mbaron para kohe edhe kur deputeti mungon pa arsye për më shumë se 6 muaj rresht në Kuvend. Pra, këtu bëhet dallimi i qartë: mungesa duhet të jetë pa arsye. Nëse është me arsye, mandati nuk humbet, (rasti Berisha 2024).

Nga krahasimi me Kushtetutën e Shqipërisë për deputetët, ligji vendos një standard më “të ashpër” për kryetarin e bashkisë: mjafton që mungesa të jetë mbi 3 muaj e pandërprerë, pavarësisht shkakut, dhe mandati përfundon sipas procedurës përkatëse më sipër, neni 62. Ky dallim mund të jetë menduar nga socialistët me natyrën e funksioneve: Deputeti është pjesë e një organi kolegjial me 140 anëtarë, ku përfaqësimi mund të kompensohet nga kolegët, prandaj ligjvënësi ka lehtësuar rregullin për rastet me arsye. Kryetari i bashkisë është organ monokratik dhe i pazëvendësueshëm (përveçse nga nënkryetari në detyra të përkohshme), prandaj ligjvënësi ndoshta ka zgjedhur standardin më të ngurtë, pa bërë dallim midis mungesave me arsye dhe pa arsye (opozita ka qenë kundër ligjit në tërësi më 2015)

2. KRAHASIMI ME DISA SHTETE TË BE-SË

Në një kërkim të shkurtër dhe jo të thelluar lidhur me modelet dhe rastet në vendet e BE-së rreth nesh rezulton se psh., Italia – Nuk ka një prag mujor për mungesën. Ligji parashikon ndërprerje vetëm për impedimento permanente, dorëheqje, vdekje apo shkarkim për shkelje të rënda, ndërkohë, zëvendësimi bëhet nga nënkryetari. Greqia ndërkohë sipas Korniza Kallikratis (2010) dhe Kleisthénis lejon pezullim/ shkarkim vetëm në raste penale apo shkelje të tipizuara. Nuk ekziston një klauzolë “mungesë X muaj”. Kroacia në rast mungese ose pamundësie të kryetarit, detyrat i ushtron nënkryetari; ligji nuk parashikon humbje automatike të mandatit për mungesë disamujore. Në Gjermani, në shumicën e Landeve, ndërprerja bëhet përmes mekanizmit të votim për shkarkim ose për shkaqe të tipizuara. Nuk ka humbje automatike për mungesë në punë. Kështu, Shqipëria (dhe pjesërisht Rumania, ku ekziston një dispozitë për “pamundësi 3 muaj”) janë përjashtime. Shqipëria ka një regjim më të rreptë se shumica e vendeve të BE-së për ndërprerjen e mandatit të kryetarëve të bashkive, duke e lidhur me një afat fiks 3 muaj mungesë. Modelet e tjera evropiane janë më fleksibël, duke lejuar zëvendësim të përkohshëm dhe ndërhyrje vetëm në raste të tipizuara.

3. JURISPRUDENCA E ECHR (STRASBURGUT) MBI KRYETARËT E BASHKIVE DHE KOMISIONI I VENECIAS

Unë nuk e di fare dhe nuk kam fare interes sesi do të sillet z.Veliaj rreth kësaj çështjeje apo avokatët e tij. Nëse do të ndjekë instinktin e frikës për të mos mërzitur edhe me shumë “të madhin”, apo do përballet juridikisht. Por, siç thashë, në interes të lexuesit mund të jetë precedenti nëse ndodh javën e ardhshme dhe çfarë do ndodhë nëse në të njëjtën mënyrë do tentojë për një kryetar bashkie të opozitës. Për këtë bëra një kërkim të shkurtër në HUDOC (data bazën e vendime të Gjykatës së Strasburgut) dhe lexova disa opinione të Komisionit të Venecias lidhur me qeverisjen vendore, përfshi atë të 2025. Në HUDOC (nuk po i citoj rastet konkrete) gjenden rastet e Turqisë (2021), raste e Gjeorgjisë (2020-2023), rastet e Rumanisë (2005) dhe disa raste jo shumë relevante, ku përfshihen përveç kryetarëve të bashkive edhe deputetë lidhur me atë që quhet “mandate loss for absence” (humbje e mandatit për shkak të mungesës).

Standardi i nxjerrë nga këto vendime është se ECHR (Strasburgu) nuk e aplikon Protokollin 1, neni 3 (zgjedhje të lira) për zgjedhjet lokale, pra kryetarët e bashkive nuk mbrohen drejtpërdrejt nga kjo dispozitë. Por, Gjykata vlerëson proporcionalitetin e masave që pengojnë ushtrimin e mandatit (paraburgim, shkarkim), duke përdorur nenin 5, nenin 10 dhe ndonjëherë nenin 18 të KEDNJ.

4. RASTI I IMAMOGLU NË TURQI

Në Turqi nuk ka një dispozitë të ngjashme me nenin 62 të ligjit 139/2015 që kemi ne për mungesën mbi 3 muaj, por qeveria (MB) sipas Kushtetutës, ka të drejtë të vendosë pezullimin në raste të hetimeve. Kjo qasje jo pak herë është kritikuar nga Komisioni i Venecias apo Human Right Watch. Tipik është rasti i Imamoglu (aspak relevant me rastin në Tiranë). I arrestuar në mars 2025 me akuza për korrupsion dhe terrorizëm, Gjykata e Stambollit i caktoi paraburgim. Më pas ai mori edhe një dënim prej 1 vit e 8 muaj jo përfundimtar. Universiteti i Stambollit i anuloi diplomën, duke e bërë teknikisht të papërshtatshëm për kandidaturën presidenciale. Në reagimet ndërkombëtare: Këshilli i Evropës dhe PACE e quajtën arrestimin “sulm ndaj demokracisë” dhe kërkuan lirimin. Ndërkohë ai u zëvendësua: Këshilli Bashkiak i Stambollit zgjodhi Nuri Aslan (nga CHP) si kryetar bashkie në detyrë nga e njëjta parti e opozitës. Ky rast është shembull tipik i asaj që literatura jonë juridike e quan “lawfare” – përdorimi i mjeteve ligjore për neutralizimin e kundërshtarit politik, por që siç e përsërita, nuk është relevant me z. Veliaj, por mund të jetë relevant me raste të tjera gjatë mandatit të katërt, nëse përdoret kundër opozitës.

5. PARALELE DHE IMPLIKIME PËR SHQIPËRINË DHE DISA PËRFUNDIME

Norma strikte 3-mujore e Shqipërisë e bën më të lehtë ndërprerjen e mandatit kur një kryetar bashkie është në paraburgim, edhe nëse procesi penal nuk ka përfunduar. Në vende të BE-së, situata të tilla zgjidhen me zëvendësim të përkohshëm dhe respektim të prezumimit të pafajësisë. Jurisprudenca e ECHR sugjeron që çdo ndërhyrje duhet të jetë proporcionale, e arsyetuar dhe me masa më pak kufizuese të konsideruara. Përndryshe, rrezikohet të shihet si shkelje e nenit 5 dhe nenit 18 të Konventës. Shqipëria ka një regjim më të rreptë se shumica e vendeve të BEsë për ndërprerjen e mandatit të kryetarëve të bashkive, duke e lidhur me një afat fiks 3 muaj mungesë. Nëse kjo normë zbatohet mekanikisht në rastet kur kryetarët janë në paraburgim, lind rreziku i paradoksit demokratik: një mandat i fituar me zgjedhje humbet para se të ketë një vendim penal përfundimtar. Jurisprudenca e ECHR nuk e mbron drejtpërdrejt mandatin lokal përmes nenit mbi zgjedhjet e lira, por e mbulon përmes të drejtës për liri, gjykim të drejtë dhe mbrojtje nga arbitrariteti shtetëror. Një rishikim i ligjit shqiptar (psh., për të parashikuar zëvendësim të përkohshëm, ose për të bërë dallim midis mungesës me arsye dhe pa arsye) do ta sillte më afër standardeve evropiane dhe do të minimizonte rrezikun e cenimit të të drejtave politike, megjithatë ky sugjerim është tërësisht i imi si avokat dhe nuk paraqet ndonjë mendim ose opinion të opozitës, për të cilin miqtë e mi atje kanë gjithë kohën, mundësinë dhe kapacitetet për t’i zgjidhur.

albnews

albnews

Live ALBUK TV

Recent News

Sarah Ferguson u përjashtua nga organizata bamirëse për shkak të email-it të Epsteinit

Sarah Ferguson u përjashtua nga organizata bamirëse për shkak të email-it të Epsteinit

22 September, 2025
Gjermania po përgatitet për konflikt me Rusinë, gati plani për infrastruktura që strehojnë deri 1000 të plagosur në ditë

Gjermania po përgatitet për konflikt me Rusinë, gati plani për infrastruktura që strehojnë deri 1000 të plagosur në ditë

22 September, 2025
Njohja e shtetit të Palestinës, Britania e Madhe paralajmëron Izraelin të mos hakmerret

Njohja e shtetit të Palestinës, Britania e Madhe paralajmëron Izraelin të mos hakmerret

22 September, 2025
Koreja e Jugut do të pranonte një marrëveshje Trump-Kim për ngrirjen e programit bërthamor, i thotë presidenti BBC-së

Koreja e Jugut do të pranonte një marrëveshje Trump-Kim për ngrirjen e programit bërthamor, i thotë presidenti BBC-së

22 September, 2025
Copyright © 2025 ALB UK News | Powered by ALB UK News
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT
No Result
View All Result