Kryedemokrati Sali Berisha i është përgjigjur akuzavë të kryeministrit Edi Rama për moshën e tij nga Sheshi Nënë Tereza në Tiranë, duke i thënë se të gjitha vitet e ish-kryeministrit janë vite bio.
Berisha gjithashtu tha se kryeministri Edi Rama me moshë ngjan njësoj si gjyshi i Gramoz Ruçit, shkruan A2 CNN.
Ai tha gjithashtu se Partia Demokratike njësoj siç sipas tij përmbysi diktaturën komuniste dhe transformoi Shqipërinë, tani do të punojë për ndërtimin e Shqipërisë Madhështore.
“Edi Rama i qan hallin Sali Berishës për hallin e tij. Tani i them këtu ‘Edvin, Edvin, vitet e Sali Berishës janë të gjitha vite bio. Vettingu që i bëre me lakenjtë e tu, treguan se Sali Berisha del sot para shqiptarëve si politikani më i pastër që ka njohur Shqipëria dhe më gjerë. Edvin, me atë vetting për të cilin nuk e nise për si e nise, do të them se nder më bëre, u tregove shqiptarëve se ku qëndron forca e pathyeshme e Sali Berishës.
Miq, përsa i përket moshës ju garantoj se ai ngjet jo me Gramozin, por me gjyshin e Gramoz Ruçit. Ndaj edhe, nuk e di ti, se vjedh gjithë ditën, por forca e një burri matet me dashurinë dhe pasionin që ka ai për të ndihmuar shoqërinë, kombin, vendin e tij. Nuk jam kthyer unë për pushtet. Unë kam qenë në pushtet dhe kam lënë ato që ti kurrë nuk i shuan dot. Nuk jam kthyer unë për para, shqiptarët e panë se cili ishte vettingu i Sali Berishës.
Nuk jam kthyer unë për luks, pasi në moshën time kur kam ardhur në këtë stad të jetës, këtë respekt dhe dashuri që kam për vendin, dua t’ja kushtoj popullit shqiptar. Dua që së bashku me ta, ashtu siç përmbysën diktaturën, të ndërtojmë tani ‘Shqipërinë Madhështore’”, tha Berisha.