Në kohën kur më shumë njerëz kanë nevojë për të marrë një vaksinë kundër koronavirusit, shumë po pyesin se cilat janë efektet anësore të saj që duhet t’i presin dhe nëse ka dallime mes efekteve anësore të vaksinave. Përgjigjja e shkurtër për të dyja pyetjet është po, ndërsa hollësitë i keni më poshtë, ndonëse çfarëdo shqetësimi zbehet në krahasim me prekjen nga Covid-19.
Jessica Glenza & Alvin Chang, The Guardian;
Përktheu: Nasuf Abdyli
Ne përdorëm të dhëna të testimeve klinike që janë mbledhur nga Administrata e Ushqimit dhe e Ilaçeve e ShBA-së për t’i eksploruar llojet e efekteve anësore që lidhen më së shpeshti me tri vaksinat që janë tash për tash të autorizuara për përdorim urgjent në ShBA. Këto vaksina janë zhvilluar nga kompanitë “Pfizer/BioNTech”, “Moderna” dhe “Johnson & Johnson”.
Cilat janë efektet anësore më të zakonshme?
Për të gjitha vaksinat, në mesin e efekteve anësore më të zakonshme përfshihen:
-Lëkura e lënduar apo ulcera në vendin ku është dhënë vaksina
-Lodhja
-Dhimbja e kokës dhe dhimbja e muskujve
Në mesin e efekteve anësore më pak të zakonshme janë ndjenja e të vjellurit, të dridhurat, ethet dhe temperatura e lartë. Shumica e simptomave shkaktojnë ndjenjë të parehatisë, por jo pengim të plotë të shprehive tuaja ditore.
A janë të sigurta vaksinat për Covid-19?
Po. Siguria e tyre është e testuar në testime të mëdha me dhjetëra mijëra njerëz. Pastaj, Administrata e Ushqimit dhe e Ilaçeve si dhe Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vazhdojnë t’i vëzhgojnë të dhënat për sigurinë e vaksinave, përfshirë efektet anësore, pasi vaksinat të jenë autorizuar. Ky proces nganjëherë quhet si testimi i fazës së katërt. Vëzhgimi kryhet dorë pas dore me raportim përmes disa regjistrave për sigurinë e vaksinave.
Këto studime të vazhdueshme mund të ndihmojnë për identifikimin e efekteve anësore më të rralla dhe t’i dallojnë njerëzit që mund të kenë ndjeshmëri të veçanta ndaj vaksinës, siç është mundësia për një reagim alergjik.
Një nga shifrat kyçe të përfshira më poshtë është shkalla e personave që kanë përjetuar efekte anësore pas marrjes së “vaksinës së rreme”, që përdoret gjatë testimit për t’i krahasuar të dhënat. Njerëzit e përfshirë në testim nuk e kanë ditur nëse e kanë marrë vaksinën e vërtetë apo vaksinën e rreme. Kjo u ndihmon shkencëtarëve që ta kuptojnë shkallën e efekteve anësore në popullatë.
Efektet anësore të vaksinës së kompanisë “Moderna”
Zyrtarisht e quajtur mRNA-1273, kjo vaksinë është zhvilluar nga kompania “Moderna” në bashkëpunim me “Niaid”, por shumica e njohin thjesht si vaksina e Moderna-s, që jepet me dy doza, me 28 ditë dallim mes tyre.