Technologji
Efektet e “miratimit” të Deklaratës së Vuçiqit për Vojvodinën
Më shumë se një muaj pas “miratimit” në një tubim të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), “Deklarata për Vojvodinën” nuk është më temë e diskutimit publik në Serbi.
Deklarata – e prezantuar atëkohë si një përgjigje e rëndësishme ndaj separatizmit të pretenduar në provincën e Serbisë veriore – u miratua nga mbështetësit e SNS-së në një tubim në Mitrovicë të Sremit, më 15 shkurt.
Qeveria e Serbisë i akuzoi disa figura të opozitës, studentët në bllokadë dhe personalitete të tjera jopartiake, se kanë ide për shkëputjen e Vojvodinës dhe pretendoi se “kërkesat e tilla separatiste” janë edhe pjesë e protestave në Serbi.
Megjithatë, ajo nuk nxori ndonjë dëshmi se dikush vërtet mbron idenë që Vojvodina të mos mbetet më brenda kufijve të Serbisë.
Shkëputja e Vojvodinës nuk përmendet as në protestat e studentëve, të cilët prej muajsh kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 15 personave në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Studentët i hodhën poshtë akuzat se protestat kanë lidhje me idetë e supozuara separatiste. Opozita po ashtu.
SNS-ja nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se cilat janë arsyet e akuzave të tilla, cilat janë efektet e miratimit të “Deklaratës” deri më tani dhe a do t’u prezantohet ajo deputetëve të Kuvendit të Serbisë, siç u paralajmërua.
Efektet afatshkurtra të “Deklaratës”
Dejan Bursaq, nga Instituti për Filozofi dhe Teori Sociale në Beograd, thotë se “është e qartë se efektet e kësaj deklarate, janë shumë afatshkurtra”.
Ai beson se inicimi i saj u ka shërbyer nevojave partiake të SNS-së.
“Për të larguar vëmendjen nga protestat e studentëve, nga rrëfimet për korrupsion dhe keqmenaxhim në Serbi. Ata u përpoqën ta zhvendosnin fokusin në këtë rrëfim për Vojvodinën dhe, në këtë mënyrë, t’i diskreditojnë kundërshtarët e mundshëm politikë si ‘separatistë’ që duan diçka të keqe”, thotë Bursaq për Radion Evropa e Lirë.
Mitingu në Mitrovicë të Sremit, në të cilin u miratua “Deklarata”, u mbajt në Ditën e Shtetësisë së Serbisë. Në të njëjtën ditë – me thirrjen e studentëve – u mbajt edhe një protestë masive në Kragujevc.
“Më duket se është një gjë e pamatur. Në atë moment, ju keni një protestë studentore dhe qytetare, me simbolikë shumë të qartë kombëtare, ndaj është vështirë t’i akuzoni ata njerëz se duan ta shkëpusin Vojvodinën nga Serbia”, thotë Bursaq.
“Por, sigurisht, ndikon te një pjesë e votuesve të SNS-së, të cilët i marrin informacionet përmes kanaleve shumë të kufizuara të komunikimit dhe, do të thosha, të kontrolluara rreptësisht”, shton ai.
Çfarë thanë mbështetësit e SNS-së për Deklaratën e Vuçiqit?
Edhe pse u paralajmërua si temë qendrore e tubimit, më 15 shkurt, nga skena në Mitrovicë të Sremit u dëgjuan vetëm disa fjali për “Deklaratën për Vojvodinën”.
Presidenti i Serbisë dhe zyrtari i SNS-së, Aleksandar Vuçiq, i cilësoi sërish protestat e drejtuara nga studentët si “revolucion me ngjyra”, por, këtë herë, i akuzoi edhe për tendenca për shkëputjen e Vojvodinës.
Ai u bëri thirrje mbështetësve të tij që të votojnë për dokumentin me “proklamatë popullore”, ku, ndër të tjera, thuhet: “Vojvodina nuk është vetëm pjesë e Serbisë, Vojvodina është Serbi”.
Njerëzit me të cilët foli Radio Evropa e Lirë në atë tubim, thanë se kishin ardhur për të mbështetur presidentin serb në “gjithçka që ai bën”.
Kur u pyet për “Deklaratën”, Gjurgjevka Imre nga Kovini – vendbanim në Vojvodinë – tha se ajo nuk do që Vojvodina të shkëputet.
“Më pëlqen që gjithçka të mbetet e bukur siç është tani”, tha ajo.
E pyetur se kush në Serbi po flet për shkëputje, ajo u përgjigj: “Ka pro dhe kundër. Nuk e di, vërtet nuk mund t’ju jap përgjigje në këtë pyetje”.
“Si të ndahet Vojvodina? Ajo është një shtet – Serbi”, tha Dragan Stojanoviq nga Banati.
“Nuk e di se kush flet [për shkëputje], por ata që flasin, janë kundër partisë”, shtoi ai.
Bursaq beson se njerëzit nuk u mblodhën në Mitrovicë të Sremit për shkak të Vojvodinës.
“… e as për të parandaluar ndonjë separatizëm imagjinar, por për faktin se i mblodhi partia politike për të treguar forcën e saj”, thotë ai.
Cili është fati i “Deklaratës”?
Vuçiq tha më 10 mars se do t’ua prezantojë “Deklaratën” deputetëve të Kuvendit të Serbisë, ku Partia Përparimtare Serbe dhe partnerët e saj të koalicionit kanë shumicën.
Sipas informacioneve publike, ajo ende nuk ka hyrë në procedurë parlamentare. Kuvendi republikan nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje.
Vuçiq tha se, fillimisht, duhet të konsultohet me partnerët e tij të koalicionit nga Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës (SVM).
Presidenti i SVM-së, Balint Pastor, tha më vonë se “nëse rastësisht do të hyjë në rendin e ditës – gjë që nuk është absolutisht e sigurt – SVM-ja nuk do të votojë për asnjë deklaratë të tillë për Vojvodinën, që bie ndesh me faktet historike”.
Hungarezët janë pakica më e madhe kombëtare në Vojvodinë. Sipas regjistrimit të vitit 2002, mbi 182.000 njerëz jetojnë në atë krahinë.
Ku ndodhet Vojvodina në hartën politike të Serbisë?
“Vojvodina është emër dhe Serbia është mbiemër. Siç nuk ka Serbi pa Vojvodinë, as Vojvodina nuk mund të ekzistojë jashtë Serbisë”.
Kështu e përshkruajnë mbështetësit e SNS-së Vojvodinën në “Deklaratën” e tyre “kundër separatizmit”.
Por, jashtë këtij rasti, Vojvodina nuk është politikisht fokus i Qeverisë së udhëhequr nga SNS-ja.
Këtë e thekson edhe Bursaq nga Instituti për Filozofi dhe Teori Sociale.
“Qeveria krahinore është gjithmonë diku nën radar. Qeveria dhe politika e Vojvodinës në përgjithësi varen shumë nga dinamika kombëtare”, thotë ai.
Pak para shembjes së strehës, Stacioni Hekurudhor i Novi Sadit u rindërtua dhe u hap me ceremoni dy herë.
Në hapjen në korrik të vitit 2024, së bashku me kryetarin e atëhershëm të Novi Sadit, Millan Gjuriq, dhe përfaqësues të Qeverisë republikane, e pranishme ishte edhe kryeministrja e krahinës, Maja Gojkoviq.
Atëkohë, Gojkoviq u tha mediave se stacioni ishte i sigurt dhe “mbi standardet evropiane”.
Tre muaj më vonë, streha e stacionit u shemb, duke marrë 15 jetë njerëzish. Dy persona u plagosën dhe janë ende në gjendje të rëndë.
Për shkak të incidentit, studentët e Novi Sadit, që janë duke bllokuar fakultetet, kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të atëhershëm, Millan Gjuriq, dhe të kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, si dhe hetime për përgjegjësinë penale të dy zyrtarëve.
Të dy ata tashmë kanë dhënë dorëheqje.
Bursaq thotë se, ashtu sikurse politika e Vojvodinës, edhe kryeministrja e krahinës ka mbetur “nën radar”.
“Dorëheqja e saj nuk është kërkuar, por, padyshim, ka pasur bazë për [dorëheqje] morale – nëse asgjë tjetër. Nëse keni deklaruar se është i sigurt… atëherë mbani përgjegjësi morale kur projekti shkon keq”, thotë Bursaq.
Çfarë statusi ka Vojvodina?
Kushtetuta e Serbisë thotë se ky vend ka dy krahina autonome: Vojvodinën dhe Kosovën – pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh.
Me Kushtetutë, propozimi për krijimin e krahinave të reja ose për shfuqizimin ose bashkimin e krahinave autonome ekzistuese konfirmohet nga qytetarët me referendum.
Krahina autonome në Serbi i ka institucionet dhe të ardhurat e veta, menaxhon prona, i ka simbolet dhe përcakton mënyrën e përdorimit të tyre. REL
Bota
Dronët zbulojnë virus vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut
Dronët e pajisur me teknologji të posaçme kanë ndihmuar shkencëtarët të zbulojnë një virus potencialisht vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut, duke hapur një kapitull të ri në monitorimin e shëndetit të gjitarëve detarë.
Shkencëtarët fluturuan dronë të pajisur me pajisje të posaçme përmes pikëzave të nxjerra gjatë frymëmarrjes, ose “fryrjeve”, që krijohen kur këta gjigantë dalin në sipërfaqe për të marrë frymë.
Analizat zbuluan praninë e morbillivirusit cetacean, një virus shumë ngjitës që përhapet lehtësisht midis delfinëve, balenave dhe derrave të detit, duke shkaktuar sëmundje të rënda dhe vdekje masive.
Ky është konfirmimi i parë se virusi po qarkullon mbi Rrethin Arktik, duke paraqitur një kërcënim serioz për ekosistemet detare.
Sipas studiuesve, kjo metodë është një hap i madh përpara, pasi lejon monitorimin e balenave të gjalla pa i stresuar apo dëmtuar ato. Virusi mund të përhapet lehtësisht mes specieve dhe të udhëtojë nëpër oqeane, çka e bën edhe më të rrezikshëm.
Shkencëtarët shpresojnë se përdorimi afatgjatë i kësaj teknologjie do të ndihmojë në identifikimin e hershëm të kërcënimeve dhe në mbrojtjen më të mirë të jetës detare në një Arktik që po ndryshon me shpejtësi.
Bota
Plani sekret i Kinës në “zemër” të Himalajeve
Në një zonë të largët të Himalajeve, Kina po ndërton një sistem hidroenergjetik me vlerë 168 miliardë dollarë në lumin Yarlung Tsangpo, që pritet të prodhojë më shumë energji se çdo hidrocentral tjetër në botë. Projekti, i cili zbaton një rënie lartësie prej 2,000 metrash dhe përfshin tunele dhe stacione kaskade, synon të furnizojë energji për makinat elektrike dhe qendrat e inteligjencës artificiale, duke zvogëluar varësinë nga qymyri dhe emetimet e karbonit.
Megjithatë, ndërtimi ngre shqetësime të mëdha ekologjike dhe sociale, shkruan CNN. Zona e “Great Bend”, ku lumi ndryshon drejtim përreth maleve, është e pasur me biodiversitet, përfshirë specie të rrezikuara si tigri i Bengalit dhe panda e kuqe, dhe banorë vendas si Monpa dhe Lhoba mund të detyrohen të zhvendosen. Vlerësimet e ndikimit mbi ekosistemet dhe shoqëritë lokale mbeten të pasigurta, duke shtuar frikën se projekti mund të shkaktojë dëme të paparashikuara.
Projekti ngre gjithashtu tensione diplomatike. Lumi Yarlung Tsangpo bëhet Brahmaputra në Indi dhe Bangladeshi, duke mbështetur miliona banorë që varen nga peshkimi dhe bujqësia. Autoritetet indiane e kanë quajtur projektin një “bombë uji”, duke paralajmëruar për potenciale ndikime katastrofike në rast të kontrollit ose lëshimit të papritur të ujit. Marrëdhëniet midis Pekinit dhe New Delhit për lumenjtë transnacionalë janë tashmë të ndërlikuara dhe ndërtimi i hidrocentralit mund të tensionojë më tej situatën.
Kina ka theksuar se ka zbatuar masa të forta për mbrojtjen ekologjike dhe sigurinë inxhinierike, duke premtuar monitorim mjedisor dhe komunikim me vendet në vijën e poshtme të lumit. Por ekspertët paralajmërojnë se rreziqet janë të mëdha për shkak të lëvizjeve sizmike, reshjeve të paparashikueshme dhe përmbytjeve, si dhe pasojave për banorët dhe ekosistemet e Himalajeve.
Ndërsa Kina synon të kthejë Tibetin në një qendër të energjisë së pastër, projekti tregon sfidat mes zhvillimit teknologjik, sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së mjedisit, duke bërë që hidrocentrali i Yarlung Tsangpo të konsiderohet një ndër ndërmarrjet më ambicioze dhe kontroverse në historinë e vendit.
Bota
Avionë në formacion si zogjtë shtegtarë! Metoda e re e fluturimit
Kompania europiane Airbus po eksperimenton me një koncept të ri të fluturimit në formacion, i frymëzuar nga zogjtë, për të ulur konsumin e karburantit dhe ndikimin mjedisor të industrisë ajrore.
Projekti, i quajtur “Fello’fly”, synon të përdorë efektin e krijuar nga avioni që udhëheq formacionin për të përmirësuar efikasitetin e karburantit të avionëve që e ndjekin, një efekt i njohur si “rikuperimi i energjisë nga shtrati i ajrit”.
Testimet u realizuan në bashkëpunim me linjat ajrore Air France, Delta Air Lines, French Bee dhe Virgin Atlantic, duke kryer tetë fluturime mbi Atlantikun e Veriut midis shtatorit dhe tetorit 2025.
Avionët u vendosën në një formacion që imiton pozicionin e zogjve migratorë, ku avioni kryesor gjeneron një ngritje që ndihmon avionët pasues të konsumojnë më pak karburant, duke ruajtur gjithashtu distancën e sigurt sipas rregullave të aviacionit.
Airbus njofton se nëse kjo teknikë zbatohet në fluturimet komerciale, mund të arrihet një kursim karburanti në fluturimet e gjata dhe një reduktim i ndjeshëm i emetimeve të CO2.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se reduktimet do të jenë të kufizuara. Çmimi i lartë i karburanteve të pastra, mungesa e avionëve të rinj dhe rritja e vazhdueshme e trafikut ajror e komplikojnë përmirësimin e qëndrueshmërisë.
Parashikohet që deri në vitin 2040 të ketë 8 miliardë pasagjerë në vit, duke rritur ndjeshëm flotën globale.
Sipas një studimi të Transporte dhe Mjedisit, edhe përdorimi i karburanteve alternative SAF nuk do të eliminojë plotësisht përdorimin e karburanteve fosile, duke treguar sfidat e vazhdueshme për një aviacion më të gjelbër.
-
Albania7 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK6 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports6 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania7 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania23 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania23 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
