Egjipti, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur marrëveshje për t’iu lejuar të huajt që janë në Gaza, të largohen përmes pikës kufitare Rafah drejt Egjiptit, ka thënë një zyrtar i lartë egjiptian. Ky zyrtar ka thënë të shtunën se Izraeli është pajtuar që t’i ndalë sulmet në zonat ku do të kalojnë të huajt, për t’u larguar prej Gazës së rrethuar. Ai ka thënë se Katari është përfshirë në negociata dhe që pjesëmarrësit kanë marrë edhe miratim prej grupeve militante palestineze, Hamas dhe Xhihadi Islamik.
Një zyrtar i dytë në anën egjiptiane të pikëkalimit Rafah, ka thënë se kanë pranuar “instruksione” për t’u rihapur në pasditen e së shtunës për të huajt që arrijnë aty prej Gazës. Zyrtari i parë ka thënë se negociatat janë ende duke u zhvilluar për të lejuar dërgimin e ndihmës humanitare në Gazë përmes kësaj pike kufitare.
Të dy zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti sepse nuk kanë qenë të autorizuar të flasin për mediat, ka raportuar agjencia e lajmeve, Associated Press. Izraeli ka urdhëruar evakuime masive të palestinezëve nga veriu i Rripit të Gazës për në jug.
Atyre u është dhënë afat që të largohen deri në orën 16:00 të së shtunës, sipas orës locale, dhe më pas pritet të ketë ofensivë eventuale ushtarake të Izraelit në Gaza. Përshkallëzimi i konfliktit ka ndodhur një javë më parë, kur pjesëtarë të Hamasit kanë kryer sulme të befasishme në Izrael, duke lënë të vdekur mbi 1.000 persona. Një shifër e ngjashme viktimash është regjistruar edhe në Gaza, si pasojë e sulmeve hakmarrëse të Izraelit, i cili i ka shpallur luftë Hamasit dhe është zotuar për ta shkatërruar atë.