Aktorja Egla Ceno ka njoftuar publikisht dorëheqjen nga Teatri “Skampa” në Elbasan, pas një përplasjeje me drejtorinë e institucionit. Sipas saj, prej dy muajsh nuk ka marrë pagën si aktore, për shkak të pjesëmarrjes në një shfaqje në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ceno flet për një “bashkëpunim” që, sipas saj, ka përfunduar në mënyrë jo korrekte, duke e lidhur pezullimin e pagës me angazhimin në shfaqjen “Babai”.
“Falenderim publik për Teatrin ‘Skampa’ për ‘bashkëpunimin’ që kam patur deri sot. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme; sidomos momenti kur u vendos të hiqej paga ime vetëm se mora pjesë në shfaqjen ‘Babai’ te Teatri Kombëtar Eksperimental (të paktën ky ishte preteksti që mu komunikua) Një veprim ‘artistik’ me plot finesë, që flet shumë për mënyrën se si vlerësohet puna, artisti dhe njeriu.
Sa për dirigjencën? Bravo. E goditët me stil të vërtetë të lartë ‘vendimmarrjen kreative’. Kaq kam për dirigjencën! Zoti qoftë me ju, keni dy muaj që më hiqni bebelinat e mamit (550 lek te vjetra rrogë) Vijoj përpara, më e fortë dhe më e qartë se kurrë për çfarë meritoj dhe çfarë nuk pranoj.”
Në vijim të reagimit, aktorja thekson se ndarja e saj nga institucioni lidhet me mënyrën si është marrë vendimi, duke e ndarë qartë pakënaqësinë ndaj drejtimit të teatrit nga vlerësimi për publikun dhe qytetin.
“E dua pafundësisht Skampën dhe Elbasanin dhe jam vetëm mirënjohëse për dashurinë e publikut. Kjo është një histori drejtorllëku por unë ‘luftën’ e kam me skenën jo me drejtorllëkun, prandaj i mrekullueshmi Elbasan, të lutem prano dorëheqjen time. Ju kam në zemer”, shkruan Ceno.
Egla Ceno ka qenë prej vitesh pjesë e trupës së Teatrit “Skampa”, ndërsa konflikti i fundit me drejtorin Kliton Kapaj, sipas saj, është bërë shkak për largimin nga ky institucion. Deri tani nuk është bërë publik një reagim zyrtar nga drejtoria e teatrit lidhur me akuzat e ngritura nga aktorja.




