Ekspertët amerikanë i frikësohen përpjekjeve të Rusisë për të nxitur trazira dhe kriza në vendet e Ballkanit. Këshilltari i lartë në Këshillin e Atlantikut, Ian Brzezinski, për VOA në programin në gjuhën serbe ka folur për raste të dukshme të ndërhyrjeve ruse.
“Ka tensione në Ballkan midis grupeve të ndryshme etnike në vende të caktuara, vende të ndryshme kanë tensione me njëra-tjetrën dhe Kosova e Serbia janë një rast klasik. Pastaj ka një paqëndrueshmëri të mundshme ne Bosnjë përbrenda dhe rreth marrëdhënieve më Serbinë. Këto janë raste të dukshme ku ndërhyrja ruse mund të jetë interesante për Putinin si një mënyrë për të nxitur një lloj krize që do të shpërqendronte perëndimin,” tha Ian Brzezinski.
Ambasadorja Jennifer Brush, e cila një kohë ka shërbyer në Ballkan, mendon se ndikimi më i madh i luftës në Ukrainë mund të shtrihet në Bosnje e Hercegovinë dhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
“Ato popullata serbe janë nxitur aktivisht nga rusët. Janë zonat e vetme ku mund të keni një poster të Putinit dhe ku Putini ka popullaritet, madje është ndoshta më popullor në Banja Llukë sesa në Moskë. Koncepti rus për botën ruse ka nxitur ringjalljen e idesë për botën serbe, por dështimi i dukshëm i Rusisë në Ukrainë do të dështojë edhe përpjekjet serbe për një botë të tillë”, tha Jennifer Brush.
Të dy ekspertët e cilësuan të pavend nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Rusisë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme. Ata theksojnë se Serbia duhet të jetë të mbajë një pozicion të qartë në marrëdhëniet me Moskën.