Po bëhen 14 muaj që nga nisja e luftës në Ukrainë dhe fundi i saj nuk duket në horizont. Flitet shumë për hapjen e proceseve të paqes dhe dialogut, por nuk janë ndërmarrë hapa të vendosur për të arritur atë mirëkuptim të dëshiruar.
Luftimet ndërkohë vazhdojnë në Ukrainë dhe hija e një sulmi të mundshëm bërthamor mbetet, me asnjë skenar të përjashtuar. Gjatë gjithë kësaj kohe, të gjithë analistët dhe ekspertët kanë studiuar se kur Rusia mund të ndërmerrte hapin fatal për përdorimin e armëve bërthamore dhe tani ekspertët e politikës së jashtme nga Chatham House, një institut me qendër në Londër, i dedikuar për analizën e çështjeve kryesore ndërkombëtare, zbulojnë se në çfarë pike mund të urdhërojë Vladimir Putini një “sulm bërthamor” kundër Ukrainës.
Sipas institutit londinez, Presidenti rus ka shumë të ngjarë të përdorë një “sulm të fuqishëm shkatërrues” nëse nuk arrin të fitojë luftën dhe në këtë mënyrë të shmangë “pranimin e humbjes së qartë”. Nga Chatham House kujtojnë gjithashtu se që nga fillimi i pushtimit, Putin ka paralajmëruar Perëndimin se do të “përdorë të gjitha mjetet” për të mbrojtur veten, një aludim që sugjeron përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.
“Një sulm bërthamor mund të urdhërohet nëse nuk ka më asnjë shans për fitore konvencionale dhe një sulm i fuqishëm shkatërrues kundër Ukrainës shihet si mënyra e vetme për të shmangur pranimin e humbjes”, thotë Keir Giles, një ekspert për çështjet bërthamore.
Në këtë kuptim, Giles shton: “Një ose më shumë sulme bërthamore mund të jenë pjesë e një reagimi thjesht për të shkaktuar mjerim dhe shkatërrim në Ukrainë, në njohjen e dështimit të Rusisë për ta pushtuar atë. Arsyeja është se nëse Rusia nuk mund ta ketë Ukrainën, askush nuk mund ta ketë”.