Koronavirusi i ri ka qarkulluar në Amerikë në janar, disa javë para se që mendohej, dhe vdekjet e para ishin regjistruar gabimisht sikur vdekje nga gripi sezonal, ka bërë të ditur një zyrtare shëndetësore në Kaliforni të mërkurën.
Një 57-vjeçare kishte vdekur nga Covid-19 më 6 shkurt, shumë më herët se rastet tjera të regjistruara në SHBA, ka bërë të ditur Sara Cody, zyrtare shëndetësore në Santa Clara të Kalifornisë.
Fillimisht ishte menduar se vdekja e parë nga koronavirusi në SHBA kishte ardhur më 29 shkurt në Washington. Lajmi për vdekjet në Kaliforni mund të ndihmojë në kuptimin më të mirë se kur ka shpërthyer koronavirusi në SHBA, kanë thënë zyrtarët shëndetësorë, raporton “Reuters”.
Të mërkurën, guvernatori Gavin Newsom, ka thënë se ka kërkuar nga ekspertët mjekësorë nga të gjitha rajonet e Kalifornisë që të hulumtojnë të gjitha vdekjet që mund të ishin të lidhura me Covid-19 që nga muaji dhjetor.
Vdekja e gruas në Kaliforni dhe dy raste të tjera të hershme – një 69-vjeçar kishte vdekur më 17 shkurt dhe një 70-vjeçare kishte vdekur më 6 mars – janë konfirmuar tani si vdekje nga koronavirusi nga Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve në SHBA.
Vendi më parë kishte identifikuar rastet e para të bartjes së virusit më 28 shkurt. Por asnjë nga këta pacientë që kanë vdekur nuk kishin udhëtuar nga Kina, që ishte burim i virusit, duke shtuar shqetësimet se numri i të infektuarve ka qenë më i madh edhe atë kohë.
“Ajo që na thonë këto raste është se kemi pasur bartjen në komunitet në shkallë më të lartë, shumë më herët se që kemi ditur, dhe kjo tregon se virusi kishte hyrë e ka qarkulluar në mes nesh më herët se që kemi menduar ne”, ka thënë Cody.
Për shkak se rajoni ishte duke kaluar në një periudhë të gripit sezonal, shumë raste ishin klasifikuar gabimisht, ka thënë ajo.
Të tri rastet u zbuluan pasi ekspertët mjekësorë nuk kishin pasur teste atë kohë për të parë pasojat e vdekjes.
Deri tash në SHBA kanë vdekur më shumë se 46 mijë njerëz, ndërsa janë infektuar më shumë se 835 mijë persona.