Ekspertët shëndetësorë i bënë thirrje të hënën qeverisë italiane që t’i lehtësojë masat kundër përhapjes së pandemisë, duke thënë se vendi rrezikon të paralizohet.
Sipas rregullave të tanishme, personat që kanë pasur kontakt të ngushtë me një të infektuar duhet të vetizolohen për shtatë ditë, nëse janë të vaksinuar, ndërsa dhjetë ditën, nëse nuk e kanë marrë vaksinën, shkruan Reuters.
Nino Cartabellotta, kryetar i fondacionit shëndetësor “Gimbe”, tha se secili person i infektuar, mesatarisht, ka pasur kontakt të ngushtë me pesë deri dhjetë persona dhe parashikoi se, brenda dy javëve, rreth një milion italianë mund të preken nga Covidi.
“Kjo do të nënkuptonte se mund të jenë pesë deri dhjetë milionë kontakte për t’u dërguar në karantinë dhe kjo nuk është e mundshme”, tha Cartabellotta.
Mendim të ngjashëm pati edhe virologu Fabrizio Pregliasco. “Është e qartë se në këtë fazë dhe me këtë përhapje të Omicronit, duhet t’i shqyrtojmë ndryshimet për mënyrën se si ndërhyjmë, ndryshe jemi nisur drejt një izolimi të përgjithësuar”, tha ai.
Italia ka regjistruar rritje të numrit të rasteve në fund të javës së kaluar, duke shënuar tri rekorde ditore radhazi. Rekordi më i ri u shënua të shtunën me 54.762 raste të reja.




