Ekspertja e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Loretta Cusack-Doyle, ka bërë analizën teknike të ditës së parë të Grand Slamit të Parisit.
Ajo ka vënë theksin te gara në kategorinë deri 52 kilogramë, ku Distria Krasniqi arriti deri në finale. Distria në finale humbi nga bartësja e parë, francezja, Amandine Buchard. Por lufta ishte shumë e fortë.
“Sfiduesja e ditës ishte Krasniqi, që ka lëvizur nga kategoria deri 48 kg dhe është takuar me Buchardin në finale. Krasniqi ka mposhtur bartësen e dytë, Chelsie Giles, ashtu si kundërshtaret tjera rrugës për në finale, me xhudo solide. Finalja ishte entuziazmuese dhe nuk kemi qenë të sigurtë se do të përfundoi kjo luftë. Të dy garueset kanë merituar medaljen e artë bazuar në rrugëtimin e tyre. Mendoj se Krasniqi po rritet në këtë kategori dhe po ndihet komode. Ajo do të jetë pretendente e madhe për Lojërat Olimpike”, ka shkruar Cusack-Doyle, ish-kampione botërore dhe kampione e dyfishtë evropiane.
Ajo komenton në garat e Turit Botëror të Xhudos dhe është pjesë e ekipit të ekspertëve që bashkëpunon për zhvillimin e xhudos.

