Eksplozivët në Serbi ndezin tensionet rajonale, Ukraina mohon çdo përfshirje: Mund të jetë ndërhyrje ruse

albnews
By
2 Min Read

Kievi refuzon kategorikisht çdo lidhje me incidentin e eksplozivëve të gjetur pranë gazsjellësit TurkStream në Serbi. Këtë e bëri të ditur përmes “X” zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ukrainase, Heorhii Tykhyi, pas akuzave nga Budapesti.

“Ukraina nuk ka asnjë lidhje. Mund të jetë pjesë e ndërhyrjes masive të Moskës në zgjedhjet hungareze”, shtoi ai.

Kujtojmë se udhëheqësit e Serbisë dhe Hungarisë njoftuan të dielën, 5 prill, se pranë një tubacioni gazi në Serbi, i cili transporton gaz rus drejt Hungarisë, janë zbuluar lëndë shpërthyese.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se njësitë përkatëse kanë gjetur një mjet shpërthyes me fuqi të madhe. Sipas tij, në zonën e Kanjizës, në veri të vendit, vetëm disa qindra metra larg tubacionit, janë zbuluar dy pako të mëdha eksplozivi të pajisura me detonatorë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, mblodhi Këshillin e Mbrojtjes për të diskutuar situatën. Ai u shpreh se, sipas informacioneve në dispozicion, dyshohet për një akt sabotimi të planifikuar, pa dhënë detaje të mëtejshme apo prova konkrete.

Tubacioni kalon përmes Bullgarisë dhe Serbisë, duke lidhur Hungarinë me gazin rus që transportohet nën Detin e Zi drejt Turqisë.

Orban deklaroi se Ukraina ka tentuar prej vitesh të ndërpresë furnizimin e Europës me energji ruse, por pa e akuzuar drejtpërdrejt ndonjë palë për incidentin.

Share This Article