Gjykata e Beratit ka caktuar masën “arrest në burg” eksportuesin për pronarin e një kompanie të eksportit të perimeve dhe “arrest shtëpie” për dy inspektorë të AKU-së, se lejuan eksportin e 8 tonëve domate me vlera pesticidesh jashtë normave të lejuara.
Pas leximit të akuzave nga prokurorja e çështjes, gjykata e cilësoi si të ligjshëm arrestimin e eksportuesit të perimeve Mariglen Q., si dhe ndalimin e dy inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Të pandehurit ishin të pranishëm në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat. Të tre këta shtetas u arrestuan të mërkurën.
40-vjeçari, banues në Kuçovë, pronari i kompanisë së eksportit të perimeve akuzohet për veprat penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, ndërkohë që dy punonjësit e AKU-së akuzohen për “Shpërdorim detyre”.
Sipas Prokurorisë, 40-vjeçari kishte prodhuar dhe më pas kishte eksportuar drejt shtetit kroat 8 tonë domate, të cilat pas analizave të kryera kishin rezultuar me përbërje të lartë të preparatit “Chlorefenapyr”, dhe ishin asgjësuar nga autoritetet kroate. Niveli i pesticidit arrinte në 0,06 mg/kg nga 0,01 që është norma e lejuar.
Gjithashtu, për të shmangur përgjegjësisë ligjore i pandehuri kishte përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë. Gjatë një inspektimi të kryer më 29 gusht të këtij viti, dy punonjësit e AKU-së kishin raportuar se nuk e konstatuan sasinë e domateve që ndodhej në magazinë dhe kishin evituar marrjen e mostrave, si dhe bllokimin e mallit, duke e pranuar si të rregullt faturën fiktive të paraqitur nga pronari i subjektit.