Manchester City është gjithmonë e më shumë pranë futbolldashësve shqiptare. Pas stërvitjeve të para në Tiranë e Durrës nga trajnerët e akademisë së klubit më të fortë për momentin, këtë javë në axhendë është parada me trofetë që ekipi i Guardiolës fitoi sezonin e kaluar. Parada quhet ‘treble tour’, për shkak se përmban trofetë më prestigjozë të fituar si Premier League, Champions League dhe FA Cup.
Megjithatë pjesë e kësaj parade do jenë edhe trofetë e Superkupës së Europës dhe Botërorit të klubeve. Në total pesë trofe që vijnë në vendin tonë përmes Akademisë së Futbollit Durrah City. Tifozët do kenë mundësinë të përjetojnë një ndienjë unike të këtyre trofeve që fillimisht me datë 17 prill do ekspozohen në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) te kryeministria dhe më pas më 18 prill në sheshin Italia si dhe në stadiumin “Air Albania”.
Ka gjasë që në të ardhmen e afërt Manchester City të jetë në Shqipëri, ndërsa kjo vizitë historike mund të konkretizohet edhe me një ndeshje miqësore.
Megjithatë ajo që vlen më shumë është ndërtimi i akademisë së 6 në botë i këtij klubi madhështor që do jetë pikërisht në vendin tonë, që si për qëllim ka evidentimin dhe rritjen e talenteve të dalluar. Ata do stërviten me metodikën e një klubi si Manchester City, ndërsa më të veçantët do mund të provojnë veten në këtë klub gjigand.