Një person i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të Laert Haxhiut është ekstraduar nga Londra drejt Shqipërisë.
Bëhet fjalë për shtetasin Lorenc Lala, i njohur edhe si Kristian Lala dhe Ilir Lamberti, 49 vjeç, i lindur në Lushnjë.
Sipas autoriteteve, Lala ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan, me vendimin nr. 691 të datës 1 tetor 2023, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ai akuzohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë “vrasje për gjakmarrje”, “sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Hetimet dyshojnë se Lala ka bashkëpunuar me disa persona të tjerë të lidhur me grupin e Laert Haxhiut, mes tyre Artan Tafani, Lulzim Spahija, Enriko Xhahysa dhe Bledar Berberi, për kryerjen e vrasjes së Albi Bashaliut. Krimi ndodhi më 27 dhjetor 2021 në zonën e Gjocajt, në Peqin.
Sipas dosjes hetimore, 49-vjeçari dyshohet se ka pasur rol në sigurimin e mjeteve për realizimin e atentatit.
Pas ekstradimit nga Mbretëria e Bashkuar, ai pritet të përballet me procedurat ligjore në Shqipëri.


