Të tjera detaje kanë dalë në dritë pas ekzekutimit mafioz të 32-vjeçarit Roan Brahimi. Sipas gazetarit grek Vasili Lampropoulos, pas ngjarjeve në Shqipëri, Brahimi kishte qenë për një kohë të gjatë në Greqi, ndërsa deri para pak kohësh jetonte në Dubai. Përveç këtyre dy shteteve, ai rezulton të ketë kaluar edhe nga Spanja, Italia dhe Franca. Sipas dyshimeve, lëvizjet e tij mund të kenë më shumë të bëjnë me përfshirjen e tij në trafikun e drogës.
Sa i përket ekzekutimit, ka dyshime se vrasësit ndiqnin në mënyrë periodike partneren dhe fëmijën e tij në Greqi deri sa arritën të ekzekutonin 32-vjeçarin. Prej dy vitesh, Roan Brahimi ishte larguar nga Shqipëria për t’iu fshehur drejtësisë dhe hakmarrjes së mundshme nga rivalët. Atentati ndaj mikut të tij të dikurshëm, Ylli Brakimi në Milot, ku mbeti i vdekur Klisman Peçi, e largoi atë nga Shqipëria duke u strehuar në Emiratet e bashkuara. Por, kundërshtarët e gjetën mbrëmjen e së enjtes në një lagje në Athinë, ku kishte shkuar për të festuar Pashkën dhe në një atentat mafioz, dy persona me motor i janë afruar dhe e kanë qëlluar për vdekje. Në momentin e ngjarjes, pranë tij ndodhej partnerja dhe djali i tyre i mitur.
Deri më tani, pistat e hetimit janë fokusuar në hakmarrje, pasi 32-vjeçari që njihej edhe me emrin Sidorel Prendi dhe ka precedent të rrezikshëm kriminal në Shqipëri. Përplasjet e armatosura datojnë që në 2014, kur në një atentat vriten 2 kushërinjtë e tij, Klodian Ndreca e Taulant Prendi dhe u plagos Aurel Prendi. Në 2020, në lokalin e babait të tij, persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri, por pa lënduar askënd. Brahimi gjithashtu ishte shpallur në kërkim nga policia shqiptare që në vitin 2021, pasi dyshohej se bashkë me Ramazan Rraja dhe Alesio Dobrozi, hynë të armatosur në një lokal në Zejmen të Lezhës, terrorizuan klientët dhe kërkuan pronarin.
Edhe pse policia nuk e ka dokumentuar, Rohan Brahimi njihet si kundërshtari i Ervis Martinajt, i zhdukur prej 2022, ku informacionet flasin për një sherr fizik mes tyre. Nisur nga këto informacione, Roan Brahimi ka qenë i dyshuar për vrasjen e Brilant Martinajt dhe dy të tjerëve, më 17 korrik 2022, si edhe për ngjarjen e 5 ditëve më vonë, ku u tentua të eliminohej miku i tij i dikurshëm, Ylli Brahimi, por u vra Klisman Preçi. Atentati ndodhi kur të dy po ktheheshin në shtëpi me makinë të blinduar. Në të shkuarën e errët të Roan Brahimit, policitë e të dy vendeve do të përpiqen të gjejnë dhe dokumentojnë emrin e autorit apo porositësit të vrasjes që tronditi Athinën.