Një nga gazetat më prestigjioze në botë, El País, ka publikuar një shkrim mbi goditjen e fundit që administrata e Donald Trump i ka dhënë një rrjeti të dyshuar për pastrim parash të Kartelit të Sinaloas, në qendrën e të cili ndodhet familja shqiptare Hysa dhe një grup prej 20 kompanish e dhjetëra kazinosh në Meksikë, Kanada e Poloni.
Në fokus të shkrimit është familja Hysa, tashmë e sanksionuar nga SHBA, dhe mënyra se si ajo ka operuar në Meksikë përmes kazinove, restoranteve dhe kompanive të ndryshme.
Sipas El País, autoritetet amerikane dhe meksikane e shohin këtë rast si shembull të zgjerimit të bashkëpunimit mes klaneve të Ballkanit dhe kartelit meksikan, duke u bazuar te aftësia e grupeve shqiptare për të menaxhuar pastrim parash dhe për të përdorur lidhjet e tyre në portet dhe tregjet europiane.
Shkrimi shpjegon se pse këto struktura shqiptare janë bërë tërheqëse për Sinaloan dhe pse dyshimet për praninë e tyre në Meksikë po shtohen.
Shkrimi i nga Karina Suarez dhe Andres Rodriguez, El Pais
Nga dritat e makinave të lojërave të fatit dhe kuzhina gourmet, deri te dyshimet për pastrim parash për Kartelin e Sinaloas. Qeveria e Donald Trump ka goditur këtë javë në zemër financat e organizatës kriminale që kontrollohet nga trashëgimtarët e Joaquín El Chapo Guzmán dhe Ismael El Mayo Zambada. Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka bllokuar perandorinë e bizneseve të familjes shqiptare Hysa dhe rreth dhjetëra kazinove për shkak të dyshimeve se kanë pastruar para në favor të bandës. Raporti i fundit i Zyrës së Krimeve Financiare (FinCEN) detajon një skemë të ndërlikuar që përfshinte kompani guackë, transferta milionëshe jashtë vendit dhe pagesa për kartelin përmes këtyre shtëpive të lojërave të fatit.
Ajo që dukej si një histori suksesi – bare, kazino, restorante luksoze, kompani energjetike dhe kompani tregtare – është shndërruar në një makth. Familja shqiptare Hysa dhe 20 prej firmave të tyre janë tashmë në shënjestër të Shteteve të Bashkuara në mes të fushatës financiare të Trump kundër karteleve meksikane. “Grupi i krimit të organizuar Hysa, i përbërë nga Luftar, Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon, ka përdorur ndikimin e tij përmes investimeve dhe bizneseve të ndryshme në Meksikë për të pastruar para të trafikut të drogës. Besohet se ky grup kriminal operon me pëlqimin e Kartelit të Sinaloas”, njoftoi Thesari. Për këto arsye, administrata Trump ka bllokuar financiarisht gjashtë anëtarë të familjes Hysa, bashkëpunëtorin e tyre meksikan Gilberto López dhe rreth njëzet kompani në Meksikë, Kanada dhe Poloni.
Sipas hetimit të SHBA, Luftar Hysa, 57 vjeç, është një nga shtyllat kryesore të organizatës, me udhëtime të vazhdueshme mes Meksikës dhe Kanadasë. Një figurë tjetër kyçe në kontrabandën e shumave të mëdha të parave në dorë, sipas Thesarit, është Arben Hysa, pronar dhe drejtor i disa kompanive të grupit. Autoritetet amerikane pretendojnë gjithashtu se Fatos dhe Fabjon Hysa kanë marrë pjesë në përdorimin e një enti të bazuar në Evropë për t’u pasuruar nëpërmjet pastrimit të fondeve të paligjshme të trafikantëve. Pas hetimeve, Thesari njoftoi se do të ngrinte të gjitha asetet e individëve dhe kompanive të përmendura në SHBA dhe u ndaloi qytetarëve amerikanë të kryejnë transaksione me to.
Nuk është hera e parë që hija e narkotrafikut bie mbi bizneset e familjes Hysa. Edhe pse familja qëndron larg reflektorëve, në shtator 2022, Luftar Hysa publikoi në disa media një mbrojtje publike kundër shkrimeve që ekspozonin lidhjet e supozuara me Kartelin e Sinaloas, konkretisht me El Mayo Zambada. Në atë kohë, Luftar mohoi çdo lidhje me veprimtari të paligjshme. Inxhinieri dhe biznesmeni deklaroi se kur emigroi në Meksikë, në vitin 2004, kërkonte vetëm t’i shpëtonte krizës ekonomike në vendin e tij: “Unë, Luftar Ali Hysa, kurrë i dënuar, kurrë i proceduar, kurrë i arrestuar, deklaroj se nuk kam pasur kurrë asnjë problem me drejtësinë në jetën time. Të gjitha problemet e mia në jetë kanë qenë me padrejtësinë”, u shpreh ai.
Tre vjet më parë, Luftar Hysa mbrojti ashpër ligjshmërinë e bizneseve të tij dhe të pjesës tjetër të familjes. Ai përshkroi një jetë plot sakrifica, emigrim dhe diskriminim. “Ditën që u largova nga Shqipëria, synimi im i vetëm ishte të largohesha nga varfëria për veten dhe familjen time, duke kërkuar mundësi të reja zhvillimi. Gjithmonë kam mbrojtur me krenari kombësinë time. Po me të njëjtën krenari dua të theksoj sot se në kompanitë që kam krijuar me vëllain tim punësojmë më shumë se 1.500 persona vetëm në Meksikë”, tha ai atëherë.
Ai përshkroi edhe udhëtimin e tij përmes Afrikës së Jugut dhe Perusë, derisa mbërriti në Meksikë në vitin 2004. “Nuk është hera e parë që më sulmojnë. Është konkurrenca që më sulmon. Janë fjalë të ndyra. Nuk e njoh Ismael El Mayo, nuk e kam parë kurrë. Dhuntitë e mia të vetme janë karizma dhe aftësia për të bërë biznes”, tha Hysa për mediat shqiptare tre vite më parë.
Sot, familja Hysa rikthehet sërish në qendër të akuzave për lidhje me narkotrafikun. Shtetet e Bashkuara thonë qartë se klani Hysa ka ndërtuar një sistem të ndërlikuar të pastrimit të parave duke kombinuar kazinotë, restorantet dhe kompanitë guackë për të devijuar paratë që vinin nga Karteli i Sinaloas. Sipas Zyrës së Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC), ky model i ka dhënë fuqi kartelit që dikur drejtohej nga El Chapo. Thesari sqaron se Luftar, Fatos, Arben dhe Fabjon kanë bashkëpunuar me një shtetas amerikan për të pastruar para, duke përfshirë transportimin e shumave të mëdha të parave në dorë nga Meksika në SHBA.
Në listën e kompanive të familjes Hysa të sanksionuara financiarisht nga SHBA-ja janë Bliri, Cucina Del Porto, Diversiones Los Mochis, El Arte de Cocinas y Beber, Entretenimiento Villahermosa, Entretenimiento y Espectáculos, Grupo Internacional Canhysamex, H Hidrocarburos Hysa Forwarders, LH Pro-Gaming, Procesadora de Alimentos HS, Rosetta Gaming, Hysa Holdings dhe të tjera. Rrjeti i tyre i kompanive të bllokuara shtrihet në shtetet Nuevo León, Sinaloa, Sonora dhe Baja California.
El Mayo dhe lidhja meksikano-shqiptare
Dyshimet për praninë e narkotrafikut në shtete të ndryshme dhe pastrimi i parave përmes kazinove apo investimeve imobiliare nuk janë të reja. Në vitin 2023, gazetarja Jesusa Cervantes, në reportazhin BC y sus casinos, el paraíso para lavar dinero sucio, shpjegon se kompania Procesadora de Alimentos HS – një nga ato të shënjestruara nga OFAC – mori autorizim për shitjen dhe konsumin e pijeve alkoolike nga ish-kryetarja Hilda Araceli Brown, në Rosarito. Lokali “Ochuna” ndodhej brenda Casino Midas, një prej kazinove të akuzuara nga SHBA për pastrim parash. Brown, tani deputete e partisë Morena, u sanksionua nga OFAC në shtator për lidhje të supozuara me Kartelin e Sinaloas, e akuzuar për grumbullimin e pagesave të zhvatjes dhe fshehjen e operacioneve të kartelit gjatë mandatit të saj si kryetare bashkie (2021–2024).
Një element dallues në këtë histori është prania e supozuar e grupeve kriminale shqiptare në Meksikë. Sipas ekspertit të sigurisë publike, profesor Víctor Sánchez nga Universiteti i Coahuila, lidhjet mes një rrjeti shqiptar dhe Kartelit të Sinaloas krijohen, sipas burimeve të sigurisë, përmes El Mayo-s.
Sánchez shpjegon se mafiet shqiptare operojnë kryesisht në portet kryesore të Evropës – Rotterdam, Antwerpen, Hamburg, Gioia Tauro, Valencia, Algeciras – dhe se një pjesë të fitimeve i pastrojnë përmes sektorit imobiliar: ndërtime apartamentesh, zyrash, komplekse turistike. “Për organizatat meksikane, aleanca me këto klane ishte një biznes i dyfishtë: jo vetëm që ishin blerësit kryesorë të drogës për tregun evropian, por i ndihmonin edhe në pastrimin e parave në tregje ku gjurmimi ishte shumë më i vështirë”, thotë ai.
Ai shton se, pikërisht sepse organizatat shqiptare funksionojnë përmes bërthamave familjare, ka arsye të mendohet se anëtarët e familjes Hysa që jetojnë në Meksikë mund të jenë pjesë e një rrjeti më të madh kriminal që lidhet me klane të tjera shqiptare.
Sánchez thotë se investimi i krimit të organizuar në kazino është model universal: “Ndodh kudo në botë”, sqaron ai, “sepse u sjell shumë më tepër para sesa shfaqin zyrtarisht”. Ai përmend dy milionë dollarët e zbuluar nga OFAC si shembull, duke nënvizuar se “janë operacione shumë të vështira për t’u audituar”.
Ai shpjegon se boom-i turistik i zonave të caktuara në Meksikë ndjek të njëjtën logjikë si në Evropë: “Aty ku është vendosur Karteli i Sinaloas janë ngritur hotele të reja, qendra nate, restorante, spa”.
Modus operandi i kazinove
FinCEN ka vënë nën hetim 10 shtëpi lojërash me qendër në Meksikë për shkak të dyshimeve për pastrim parash. Dokumenti që shoqëron dosjen e OFAC përshkruan se si kazinotë Midas, Emine, Mirage, Palermo dhe Skampa, në shtete si Sonora, Sinaloa, Baja California dhe Tabasco, kanë ndihmuar pastrimin e më shumë se dy milionë dollarëve për Kartelin e Sinaloas mes viteve 2017–2024.
Sanksionet amerikane erdhën një ditë pasi Ministria e Financave në Meksikë njoftoi bllokimin e llogarive bankare të 13 kazinove kombëtare. Hetimet zbuluan operacione me para në dorë, flukse ndërkombëtare dhe përdorim të platformave financiare të pasupervizuara.
FinCEN specifikon se drejtues të lartë të Casino Midas në Mazatlán dërgonin çdo muaj shuma parash tek karteli si pjesë e një marrëveshjeje me një drejtues të lartë të organizatës kriminale. Dokumenti rendit edhe kazinotë e tjera të drejtuara nga e njëjta kompani në Sonora, Sinaloa, Baja California dhe Tabasco.
Instruksionet nga Karteli ishin të qarta: të depozitoheshin jo më shumë se dy pagesa në llogari të caktuara bankare, me shumën nën 90.000 pesos (rreth 4.354 dollarë), pa ditë të njëpasnjëshme, për të shmangur bllokimet. Alternativa tjetër ishte dorëzimi personal i shumave në Casino Midas në Mazatlán.
“Si provë e këtyre përpjekjeve për maskim, drejtuesit e kazinove morën udhëzime të detajuara për mënyrën e kryerjes së pagesave ndaj Kartelit të Sinaloas, së bashku me mbi 30 llogari bankare të kompanive me bazë në Meksikë ku depozitoheshin paratë”, thekson dokumenti.




