Elez Biberaj emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Zërit të Amerikës. Njoftimin për këtë emërim e ka dhënë Shefi Ekzekutiv i Agjensisë Amerikane për Median Globale (USAGM), Michael Pack.
Në një koment në pritje të emërimeve të reja, portali amerikan i lajmeve, VOX u shpreh për emërimin e Dr. Biberaj duke thënë se Z. Biberaj “gëzon një reputacion shumë të mirë si një njeri serioz dhe profesionist i disiplinuar. Ai është dhënë me gjithë shpirt ndaj përhapjes së lirë të lajmeve dhe informacionit në vendet dhe kontinentet ku kjo liri u mohohet njerëzve”.
Dr Elez Biberaj ka drejtuar Divizionin e Euro-Azisë të Zërit të Amerikës që nga viti 2006. Ai ka qenë përgjegjës për programimin multimedial të Zërit të Amerikës drejtuar Rusisë, Ukrainës, Armenisë, Gjeorgjisë dhe vendeve të Ballkanit, përfshir Shqipërinë.
Z. Biberaj filloi punën tek Zëri i Amerikës në vitin1980 si një transmetues ndërkombëtar në Shërbimin Shqip të kësaj radioje. Nga viti 1982 deri në vitin 1986, ai punoi në Divizionin e Shtypit të ish Agjencisë së Informacionit të Sh.B.A-së si shkrimtar/redaktor i specializuar në çështjet sovjetike dhe të Evropës Lindore.
Dr. Biberaj u kthye në Zërin e Amerikës si shef i Shërbimit Shqip në vitin 1986 dhe për 18 vite me radhë ka shërbyer si Shef i Seksionit shqip VOA-s, duke e shndërruar shërbimin shqip në një prej enteve më të suksesshme të të gjitha transmetimeve të Zërit të Amerikës.
Për një kohë të gjatë, ai shërbeu në një kapacitet të dyfishtë si shef i Shërbimit Shqip dhe drejtor i shkrimtarëve dhe studiuesve të Divizionit Evropian të Zërit të Amerikës. Në vitin 2004, Dr. Biberaj u emërua Redaktor/ Menaxhues i Divizionit të Euro-Azisë, u bë shef në detyrë si Drejtor i Divizionit Euro-aziatik në vitin tjetër dhe u emërua përfundimisht Drejtor i Divizionit me 2006.
Ai ka doktoraturën (PHD) në Shkencat Politike nga Universiteti Columbia në Nju Jork dhe është autor i katër librave, përfshirë, “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e Vështirë Drejt Demokracisë, 1990-2010”.