Një nga anëtarët kryesorë të ekipit teknologjik të Elon Musk, Edward Coristine, ka pasur lidhje të dyshimta me një grup krimi kibernetik të quajtur “EGodly”. Ky grup ka qenë i njohur për trafikim të të dhënave të vjedhura dhe ngacmim kibernetik ndaj një agjenti të FBI-së, sipas dokumenteve digjitale të analizuara nga Reuters.
Coristine, i cili është vetëm 19 vjeç, është përshkruar nga Musk si “Big Balls” dhe ka fituar famë për rolin e tij në “Department of Government Efficiency”, një ekip jozyrtar që po punon për të ristrukturuar administratën federale. Sipas disa burimeve, ai ka qasje të gjerë në rrjetet qeveritare dhe figuron si “këshilltar i lartë” në Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë për Sigurinë Kibernetike (CISA).
Sipas dokumenteve digjitale, Coristine drejtoi një kompani të quajtur DiamondCDN, e cila ofronte shërbime të sigurisë kibernetike. Një nga klientët e saj ishte EGodly, një grup i dyshimtë që krenohej me vjedhjen e numrave të telefonit, thyerjen e llogarive të e-mail-eve dhe sulmet ndaj forcave ligjzbatuese. Në shkurt 2023, ky grup falënderonte publikisht DiamondCDN për mbrojtjen nga sulmet DDoS dhe sigurinë e faqes së tyre.
EGodly ka kryer gjithashtu sulme të rënda ndaj një agjenti të FBI-së, duke publikuar informacione personale të tij dhe duke kryer telefonata me fyerje ndaj tij. Ky grup ishte gjithashtu i lidhur me raste të “swatting”, praktika e rrezikshme e raportimeve të rreme që çon në dërgesën e forcave të armatosura në adresa specifike.
Fakti që Coristine ka pasur lidhje me EGodly vetëm dy vite më parë ngre shqetësime të mëdha për sigurinë e rrjeteve qeveritare. Ish-zv.drejtori i Agjencisë për Sigurinë dhe Infrastrukturën Kibernetike dhe CISA, Nitin Natarajan, e quajti këtë situatë “shqetësuese” për shkak të afërsisë kohore të këtyre lidhjeve.
As Coristine dhe as ekipi i Musk nuk i janë përgjigjur pyetjeve nga mediat, ndërsa FBI dhe CISA nuk kanë dhënë ndonjë koment mbi këtë çështje.