Robert Hur, një ish-prokuror federal që ka punuar në sigurinë kombëtare, mashtrim dhe krim kibernetik, është emëruar për të udhëhequr hetimin për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga Presidenti Biden.
Emërimi u bë sot nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland. Një hetim ky që mund të hedhë hije mbi kandidimin e pritshëm të presidentit demokrat për një mandat të dytë në vitin 2024.
Kreu i Departamentit të Drejtësisë e bëri njoftimin disa orë pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi të enjten se ishte gjetur një numër të vogël dokumentesh të klasifikuara në shtëpinë e tij në Ëilmington të shtetit Delaëare. Gjetja e dokumentave ka ngjallur reagime të shumta megjithëse zoti Biden ka thënë se ishte befasuar nga gjetja e tyre dhe se ekipi i tij kishte ndërmarrë veprimet e duhura në përgjigje të situatës.
Prokurorët e posaçëm caktohen për të hetuar çështje të ndjeshme politike dhe kanë pavarësi të gjerë nga drejtuesit e Departamentit të Drejtësisë në punën e tyre. Në disa raste, por jo gjithmonë, prokurorët e posaçëm ndjekin akuza penale.
Në nëntor zoti Garland emëroi prokurorin e posaçëm Jack Smith, për të mbikëqyrur hetimet e Departamentit të Drejtësisë në lidhje me ish-presidentin republikan Donald Trump, përfshirë mënyrën se si i trajtoi dokumentat e klasifikuara dhe përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet e 2020.
Ndërkohë ish-presidenti Donald Trump, ka reaguar në lidhje me lajmin. Në platformën e tij të mediave sociale Truth Social ai i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA Merrick Garland që të “përfundojë menjëherë” hetimin për keqpërdorimin e supozuar të dosjeve të klasifikuara.
Garland emëroi ish-prokurorin e krimeve të luftës Jack Smith nëntorin e kaluar për të shërbyer si këshilltar special për të hetuar se si Trump trajtoi dokumentet e klasifikuara të gjetura në rezidencën e tij në Florida, si dhe rolin e tij të dyshuar në trazirat e Kapitolit.