Popullsia e Kanadasë u rrit me mbi një milion njerëz për herë të parë, vitin e kaluar.
Sipas Institutit të Statistikave në Kanada, rritja u nxit pjesërisht nga përpjekjet e qeverisë për të rekrutuar emigrantë dhe për të lehtësuar mungesën e fuqisë punëtore, ndërkohë që aktualisht popullsia ka shkuar në 39.5 milionë.
Megjithatë, autoritetet shqetësohen pasi ky shtim i emigrantëve të përhershëm dhe të përkohshëm mund të paraqesë sfida për disa rajone të vendit lidhur me strehimin, infrastrukturën dhe transportin, si dhe ofrimin e shërbimeve për popullatën.
Kryeministri Justin Trudeau ka bërë përpjekje për të tërhequr më shumë emigrantë në vend që kur mori pushtetin në vitin 2015. Vitin e kaluar, qeveria njoftoi një plan për të mirëpritur gjysmë milioni emigrantë në vit deri në vitin 2025.
Qeveria kanadeze ka pranuar gjithashtu njerëz të prekur nga konflikte si lufta në Ukrainë, kriza humanitare në Afganistan dhe tërmetet e vitit 2023 në Turqi dhe Siri.