Ashtu si ditën e djeshme edhe këtë të dielë pika kufitare e Kapshticës është e mbushur me emigrantë që presin të kalojnë në tokën greke, por nuk munden.
Qytetarët e mbetur ditën e djeshme në kufi kanë kaluar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, teksa kuota prej 300 personash në ditë është plotësuar rreth orës 7:00 të mëngjesit.
Por shumë qytetarë që kanë mbërritur për të shkuar në Greqi përmes Kapshticës, kanë mbetur në kufi.
Problemi është i njëjtë. Qytetarët kanë paguar para për të kryer një tampon për Covid dhe dokumenti skadon brenda 24 orëve. Pala greke tashmë i ka mbyllur sportelet për këtë të dielë dhe shqetësimi i emigrantëve të mbetur është se me skadimin e tamponit, ata nuk do të mund të kalojnë dot.
Krijimi i rradhëve duket se do të sjellë të njëjtën situatë ditën e nesërme, ku emigrantët do duhet të presin ardhjen e të hënës për të kaluar kufirin, duke ‘marrë’ radhën pë ata qytetarë që aplikojnë për të kaluar në fillim të javës tjetër. Kësisoj, radhët do të qëndrojnë pasi në aplikimet që kërkon pala greke nuk ka një limit për kërkesat. (Emigrantët aplikojnë dhe pala greke mesa duket pranon më shumë se 300 aplikime në ditë).
“Vij nga Tirana dhe sot më përfundon tamponi në orën 2. Ndërkohë nga aplikimi online kam marrë konfirmimin për të kaluar sot. Unë u dogja. Do qëndroj këtu me shpresën se mund të kaloj,”-shprehet një emigrant për report tv.
“Po pres dhe unë si të gjithë të tjerët, më mbaron sot. Lejen e kam marrë. Situatë shumë e rëndë. paguaj biletën, paguaj të gjitha dhe të kthejnë mbrapsht.”-thotë një qytetar tjetër.
“Nuk ka shtet, nuk ka asnjë kulturë. Na shkatërruan, se kam 20 vjet që kaloj këtu. Unë do kthehehm mbrapsht dhe do paguaj prap. Unë punoj gjithë ditën në beton dhe vij e kaloj këtu. 300 euro duhen për të kaluar, ndërkohë që kaq para nuk i merr për një muaj në Shqipëri.”-tregoi emigranti.
“Unë kam që në orën 5 të mëngjesit që pres këtu, në 5 e 10 u plotësu numri dhe presim ditën tjetër tani, por na mbarojnë letrat. Unë do pres, se ku të iki. Në autobus nuk ka shans të respektohen as rregullat e koronavirusit, se kemi qenë 70 vetë brenda. Kanë dyfishuar edhe biletën.”-tregon emigranti.
Në lidhje me ngjarjen ka patur një reagim nga ana e drejtorisë së migracionit në Korçë, e cila I bëri thirrje qytetarëve që të mos shkojnë në kufi pasi tashmë spotelet greke janë mbyllur dhe kanë përfunduar kuotën e 300 personave në ditë.