Në Shqipëri, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale bëri sot të ditur se emigrimi potencial i mjekëve shqiptarë është sot afro 38.5 për qind.
Qendra paraqiti sot në një konferencë ndërkombëtare rezultatet e para të një studimi sipas të cilit, mbi 50 për qind e mjekëve më të rinj dhe më të kualifikuar dëshirojnë të largohen nga Shqipëria.
Autorët e studimit, pohuan për Zërin e Amerikës se arsyet e këtij emigrimi nuk kanë të bëjnë vetëm me pagat, por edhe me kushtet e punës si dhe me nivelin e jetesës së mjekëve.
Në konferencën ndërkombëtare “Emigrimi i punonjësve të shëndetësisë nga Ballkani Perëndimor dhe Europa Lindore e Qendrore”, u theksua se gjithë gadishulli dhe kontinenti në tërësi janë përfshirë nga lëvizjet e mjekëve drejt vendeve ku garantohen standarde më të larta jetese, si Gjermania, Britania dhe Zvicra.
Studimi për Shqipërinë, bazuar në anketimin e mbi 500 mjekëve në gjithë vendin, në zonat qytetare dhe fshatare, në spitale dhe qendra shëndetësore publike dhe private të gjithë niveleve dhe territoreve, zbuloi se migrimi potencial i mjekëve shqiptarë është i lartë, rreth 38.5 për qind.
Bashkautori i studimit, dr. Ilir Gëdeshi, thotë për Zërin e Amerikës se tek mjekët e rinj dëshira për emigrim është edhe më e lartë.
“Për grupmoshën e mjekëve dhe punonjësve të mjekësisë 24-40 vjeç kjo shkon deri në 52 për qind. Dëshirojnë të largohen nga Shqipëria mjekët e rinj, mjekët, që kanë kryer një specializim, ose studime jashtë vendit, mjekët që punojnë në spitalet private, me synim Gjermaninë dhe vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore”, thotë zoti Gëdeshi.
Shkaqet nxitëse për këto dëshira emigrimi janë ato kërkesat ekonomike, standardet e jetës dhe kushtet e punës, por nuk është vetëm paga që i shtyn ata drejt një vendi tjetër, thotë për Zërin e Amerikës bashkautori tjetër i studimit, Russell King, nga Qendra për Kërkime mbi Migrimin e Universitetit të Sussex-it.
“Trajtimi ekonomik është vetëm një pjesë e problemit; çështje të tjera që duhen përmirësuar janë kushtet e punës, përparimi në karrierë, cilësia e jetës. Mjekët shqiptarë që u intervistuan për këtë studim dhanë një grup arsyesh, ku mbizotëron ekonomia si dhe mungesa e një të ardhme afatgjatë për veten dhe fëmijët e tyre, që ata duan t’i shkollojnë në një vend të zhvilluar”, thotë profesor King.
Ai shton se arsye të ngjashme janë edhe për mjekët nga vende të tjerë në rajon si Bosnja dhe Kosova, ku është vërejtur largimi i mjekëve.
Zoti King theksoi se për Shqipërinë është një sfidë e vërtetë se si ta ndalë këtë rrjedhë të mjekëve që ikin jashtë vendit, aq më tepër t’i kthejë ata nga jashtë për në atdhe, duke kryer disa reforma të mëdha sidomos në sektorin shëndetësor.
Autorët pohuan se Gjermania është shumë tërheqëse për mjekët nga Shqipëria dhe vende të tjerë, sepse atje ka një sistem të rregullt dhe krijohen të gjithë kushtet për punë me standarte të lartë sa u takon pagave, cilësisë së jetesës, shkollim të mirë dhe shërbime sociale.
Zoti Gëdeshi shton se gjithë vendet e Ballkanit janë përfshirë nga valët e emigrimit të mjekëve, por në Shqipëri, dhe në Maqedoni të Veriut ky emigrim i mjekëve është i lartë, dhe tendenca është që ky emigrim të vazhdojë sipas matjeve të bëra mbi emigrimin potencial.
“Vëmë re se autoritetet shqiptare përherë e më shumë po e përmendin çështjen e emigrimit të mjekëve, dhe po marrin masa të ndryshme. Por faktori kryesor këtu ka të bëjë me rritjen e shpenzimeve për shëndetësinë, nga 3 për qind kjo shifër të vijë duke u rritur. Po ashtu kjo çështje ka të bëjë me një reformim të sistemit shëndetësor, me dhënien e një perspektive mjekëve të rinj mbi specializimin e tyre të mëtejshëm dhe t’u hapin rrugë të rinjve, që të ardhmen e tyre ta shohin në Shqipëri”, tha zoti Gëdeshi.
Studimi propozon që të merren masa në lidhje me emigrimin e mjekëve, duke krijuar kushte brenda vendit, në mënyrë që të frenohet kjo tendencë e largimit të mjekëve.
Kjo dukuri ka përfshirë gjithë kontinentin, nga Shqipëria, Bosnja, Kosova e deri tek, Polonia, Finlanda, Norvegjia apo Ukraina në luftë, për të cilat u shfaqën studime në konferencë.