Një krim i rëndë në familje ka ndodhur ditën e sotme në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë.
Ish-dhëndri i familjes, Dan Hutra rreth 40 vjeç ka hyrë në banesën e familjes së ish-bashkëshortes dhe ka qëlluar me breshëri, ndaj të gjithë personave që kanë qenë të pranishëm në banesë.
Policia njofton se Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri Elena Hysajn, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysajn, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri Mevlute Hysajn 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Autori i dyshuar është arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar me datë 16.02.2023.
Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.
Si pasojë e të shtënave ka mbetur e plagosur edhe një grua tjetër, e cila ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Aktualisht ajo është futur në sallën e operimit.
Po ashtu, e plagosur ka mbetur edhe një grua tjetër e cila ndodhet në gjendje jo të rëndë shëndetësore.
Kjo është fotoja e 35-vjeçarit që dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj familjarëve të ish-gruas.
Këto janë pamjet që vijnë nga vendi i ngjarjes, aty ku ish-dhëndri i familjes, Dan Hutra qëlloi me breshëri familjarët e ish-gruas së tij.
Policia është vënë në ndjekje të autorit, i cili është arratisur me një makinë tip “C Class” ngjyrë të zezë.
Janë disa automjete policie që kanë shkuar aty pasi ka ndodhur krimi.
Efektivët kanë ngritur disa postblloqe për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Në vendin e ngjarjes, një e afërme e familjes së sulmuar nga ish-dhëndri i tyre është shprehur se ish-çifti kishin rreth 7 muaj të divorcuar. Po ashtu, ajo ka thënë se ata kanë një vajzë 4-muajshe.